-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Bytyçi: Vrasje në Prishtinë dhe pengmarrje në Tiranë në të njëjtën ditë, më 23 nëntor 2000!

Kryesoret

U bënë plot 25 vite nga data e 23 nëntorit 2000! Ishte ditë e enjte, ora diku rreth 10-tës. Ndaloj para një agjencie turistike të mikut tim Agim Selimi. Në qendër të Tiranës, pranë VEVE Center. Parkoj makinën, mora disa katalogje dhe i lashë te ajo agjenci. Agimi nuk qe aty. Katalogjet i mori një vajzë. Dola nga aty dhe shkova të hipi në makinën time tip Mercedes 240 ngjyrë qumështi. Në makinë me priste ime shoqe, Fatmira. Sapo ulem dhe futa çelësin ta ndez atë, dikush hapi derën dhe më urdhëroi të zbres. Shtanga dhe pyeta pse?

Atë e dimë ne, tha njeriu fantazmë, i gjatë gati dy metra, por që mua m’u duk akoma më shumë se kaq. Rezistova, por ai në mënyrën skiç për të mos e parë njerëzit jashtë më vuri grykën e pistoletës te brinjët. Gruaja bërtiste. – Pse? Çfarë ka bërë? Thërriste. I thashë të rrinte e qetë.

Lashë makinën aty në anë të bustit të Osman Kazazit, ku sot është stacioni i autobusëve mbrapa Tirana International Hotel dhe shkova me dy personat që më shoqëronin. Dhjetë metra më tej më priste një fouristradë. Fillimisht vura re targën me arsyetimin për ta mbajtur mend. Ishin targa të huaja. Më vonë mora vesh qe qenë targa bullgare. Dy persona më shoqëronin. Të dy të fuqishëm dhe të qethur karre. Kur shkova te makina e tyre më shtynë e më futën në sedilen e pasme. Në vend të parë ishte një burrë 50-55 vjeç me pardesy bezh dhe një kapele, siç i thonim ne “Republika”! Sapo dolëm në kryqin e rrugës, ku sot është kompania SIGAL dhe ALBANIAN uNIVERSITY, njeriu me pardesy bezhë zbriti. Dy policët në trafik e përshëndetën ushtarakisht.

Kur dy personat që më morën u afruan te makina e tyre, një person i tretë nga Kukësi, F:GJ. U thirri dhe u tha se “Çfarë po bëni? Ai është miku im”! F.GJ. ishte në kafen aty afër. Kjo më qetësoi, sepse së paku kishte një dëshmitar për atë që po ndodhte. Ndërkohë makina vazhdoi rrugën drejt Rrugës së Durrësit dhe u ndal te Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, afër Laprakës. Gjatë rrugës i pyesja pse po e bënin këtë. Dhe ata të dy zdapat që më shoqëronin, njëri prej të cilëve në timon, më thoshin se “Ti nuk mund të vish nga mali e të japësh mend këtu me atë revistën tënde të qelbët”!

E dija se artikujt e mijë në revistë si dhe artikujt e miqve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si Abdi Baleta, Arian Starova, Sokol Olldashi, Mero Baze, Hysamedin Feraj, Zekerija Cane, Ramadan Sokoli, Besnik Konçi, Qemal Velija, Nebil Çika e të tjerë ishin shkaku i asaj ndodhie. Por nuk e dija nëse ishte një paralajmërim apo ishte një goditje fatale. Besoj se shpëtova kësaj radhe falë faktit se F. GJ. më njihte mua dhe njihte edhe pengmarrësit e mijë. Ndaluam te Pallati i Sportit, dikur Partizani, dhe më futën në një labirinth koridoresh në bodrumin e tij. Më mbajtën aty me kërcënime për disa orë, derisa më në fund erdhi dikush që nuk e njihja e më thotë. Ik, largohu prej këtu, se të kemi ngatërruar me dikë tjetër. Çfarë të bëja? Nuk dija të gëzohesha apo të vazhdoja të isha i zemëruar! Një ndjenjë edhe poshtërimi më kishte mbërthyer.

Ka edhe plot detaje të tjera. Por tregimi i asaj dite është i çuditshëm. U largova prej aty mbasditen e 23 nëntorit dhe shkova te redaksia e revistës aty pranë sheshit “1 Maji” ose “Çajupi”! Përballë Farmacisë 11 të asaj kohë. Nuk gjeta asnjeri. Qetësi e plotë. Kishin ikur të gjithë njerëzit që punonin me mua. Ime shoqe kishte vajtur aty, kishte rrëfyer ngjarjen dhe mesa duket ata ishin frikësuar dhe ishin larguar. Ndenja së paku dy orë vetëm në zyrë me kokën mes dy duarve. Vetëm mendoja. Pastaj dola dhe piva një kafe aty pranë. Më kishte ikur gjaku. Isha bërë dyll i verdhë. Dhe në mbrëmje kur u nisa të shkoj në shtëpi.

Jetoja me qera te Rruga “Qemal Stafa”, pranë pazarit të Ri të Tiranës. Duke shkuar në shtëpi, thashë hajt të kthehem te zyra e Doktor Berishës te selia e Partisë Demokratike. Shkova në para-zyrë dhe i thashë Lindës (sekretares së Doktorit) t’i thoshte se doja ta takoja. Më priti. Sapo më pa tha “Çfarë ke? Je i zverdhur dhe i mekur! Çfarë ka ndodhur?” Ia shpjegova me hollësi gjithçka që kisha përjetuar. Zoti Berisha njoftoi fillimisht Mero Bazen dhe ky i fundit u kujdes që të vinin së paku mediet e konsideruara si të djathta, para të cilave rrëfeva ngjarjen. E denoncova aktin, por nuk kisha asnjë dijeni se kush qenë vërtet njerëzit që e bënë këtë akt të shëmtuar.

Atë natë isha pa gjumë. Ndërsa të nesërmen pak pas orës 8 të mëngjesit kalova pranë kafes përballë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Më duket quhej Kafe Ylli dhe kishte gjithashtu lojëra fati në ambientin e brendshëm. U ndala, sepse më ftoi për kafe kunati i vëllait tim, Iliri. Ai ishte shofer i zv. Ministrit të Brendshëm. Për fatin tim, gjatë kësaj kohe erdhi makina me të cilën më kishin marrë peng një ditë më parë dhe unë e pyes Ilirin se e kujt ishte kjo makinë. Ai më shpjegoi se ishte e SHIK-ut dhe se një drejtor i SHIK vinte vazhdimisht me të në këtë ministri. Ma tregoi dhe emrin e shoferit. M.L. quhej. Ishte po ai që më kërcënoi me pistoletë. Pas disa vitesh, kur unë isha në emigrim politik në Gjermani, ai u vra në konflikt me një roje të një kazinoje te ish-stacioni i trenit. Së paku kështu më kanë thënë. I isha lutur Zotit që asgjë e keqe të mos e gjente prej meje ose njerëzve të mijë. Emrin e tij nuk e përmenda as në familje, sepse nuk doja sherr, nuk doja armiqësi në vazhdim. Më mjaftonte urrejtja që kisha për të.

Sapo mësova emrat dhe adresën e saktë të pengmarrës shkova sërishmi te Doktor Berisha. Ai u kujdes që çështja të bëhej mediatike dhe thirri dy TV-të e krahut të tij, TV Shijak dhe TV ATN1 për të dhënë intervistë. Ndërkohë thirri dhe gazetarët e gazetave të djathta. Më 24 nëntor kishin shkruar gazetat “Tema”, RD dhe 55. Në këto gazeta ishte publikuar njëkohësisht lajmi i vrasjes së shkrimtarit Xhejmal Mustafa. Kur pashë se po atë ditë ishte vrarë në Prishtinë Xhemajl Mustafa harrova çfarë më kishte ndodhur. Ishte asgjë përpara asaj që i ndodhi njeriut të mirë, të urtë, të mençur e të ditur, shkrimtarit dhe ndihmësit gojartë të Ibrahim Rugovës.

Në mbrëmjen e asaj dite shkova te libraria në anë të Pallatit të Kulturës. Kur po hyja në atë derën e ngushtë të librarisë, po dilte prej andej këshilltari i kreut të SHIK, pra i Fatos Klosit, i njohuri im I.K. Nuk i fola. Por ai sapo më kaloi mbrapa më kapi për krahu dhe më pyet “Pse nuk më flet”? I thashë se edhe ti je si ata, kriminel! Në fakt me I.K isha njohur në kushte të çuditshme. Punoja më 1996 te gazeta Albania. I.K-në e patën burgosur. Avokati i tij, A.M, të cilin e njihja, kishte menduar se meqë punoj te kjo gazetë që njihej si e presidentit Berisha, duhej të dija pse e kishin arrestuar. Nga intuita i thashë t’i thoshte R-së se nuk do rrinte në burg më shumë se tre-katër muaj. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Pastaj I. K erdhi te unë e më falënderoi shumë. “Më ke mbajtur me frymën e shpresës”, më tha. Prej kësaj kohe ishim thuajse miq.

Në çastin që e akuzova për rastin e peng marrjes, ai u tregua shumë i sinqertë. “Të betohem në kokën e vajzave se unë nuk dija gjë”, m’u përgjigj. Dua të jem i sinqertë. E besova dhe e besoj edhe sot për këtë gjë. Por më bindi plotësisht se pengamarrja ishte organizuar nga kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi. Më saktë kjo gjë m’u provua. Sepse thjesht me intuitë e dija saktësisht autorësinë e Klosit në këtë akt kriminal. Kjo sepse dy ose tre shikas më vinin te zyra në redaksinë e revistës “KOHA” çdo dy javë, një ose dy ditë pas numrit të ri të radhës kur dilte kjo revistë. Më mbanin me pyetje dhe nën presion edhe dy ose më shumë orë. Me ta vinte gjithnjë drejtori i Shtypit të SHIK, Piro V. Në një rast më patën kërcënuar duke nxjerrë edhe pistoletën mbi tavolinë. Në një rast tjetër donin të dinin psh se nga e kisha marrë informacionin se kryetari i Parlamentit të Greqisë kishte vizituar Dropullin dhe në takim me minoritarët kishte thënë “Jam i lumtur që gjendem në këtë tokë e cila prodhon helenizëm”! Asnjë medie nuk kishte informuar për këtë. Ndërsa unë e publikova lajmin me një koment në revistë, duke e konfirmuar atë nga dy burime. Por këta nuk do merrnin vesh kurrë se cilat ishin ato burime informacioni.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit