Pas debatit në mbledhjen e kryesisë në Kamëz mes deputetit demokrat Flamur Nokës dhe anëtares së PD-së Anila Aliaj, lidhur me procesin e parregullsisë në zgjedhjet primare 2025, ka reagur lideri demokrat Sali Berisha duke i dalë në mbrojtje nr.2 të partisë.
“Ajo zonja që foli me Flamur Nokën, nuk është larguar nga partia dhe askush nuk mund të largojë absolutisht asnjë anëtar dhe simpatizant pse i tha këto, Sali Berishës, Flamur Nokës apo cilit do drejtues. Kjo nuk ekziston në këtë parti.
Zonja nuk mund të largohet, nuk mund të përjashtohet nga partia asnjë njeri për mendimet e tij.
Por nëqoftëse ta supozojmë në rastin ekstrem se ndodhi, zonja ka të gjithë rrugën të hapur për ankesën ndaj padrejtësisë që mund të pretendojë se i është bërë.
Në vend të kësaj, ajo zgjodhi mediat, ajo bëri një zgjidhje të saj. Por në dijeni time, në raportimet që janë bërë, ajo nuk është përjashtuar nga partia. Nuk ka asnjë vendim të asnjë forumi, të asnjë qelize të partisë për përjashtimin e zonjës nga PD dhe nuk mund të ketë për asnjë anëtar.
Tani ne jemi Parti Demokratike, e mendimit të lirë, secili. Po. Ti mendon se, unë duhet të largohem apo tjetri duhet të largohet. Normal. Por kur vjen puna ama se mendimin tënd do e shprehësh me votë dhe do të krijojë ty mundësi të plotë që të shprehësh me votë mendimin tënd”, tha Berisha.









