Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Bardhi akuzon Ramën se në vend të sqarimeve ligjore, ai ka zgjedhur sulmet politike dhe ka pranuar se është drejtpërdrejt i përfshirë në procesin gjyqësor.
Postimi i Bardhit:
“7 minuta e 38 sekonda foli Edi Rama, në një përpjekje të sforcuar për të justifikuar avokatinë e paprecedent të të pandehurës Belinda Balluku, që e mban peng me aferat e përbashkëta korruptive.
Por, ndërkohë që shqiptarët prisnin sot t’iu thoshte se në cilin opinion të Komisionit të Venecias apo vendim të Gjykatës së Strasburgut thuhej se ministri nuk mund të pezullohej nga detyra, sic shpalli dje nga podcasti “Flasim me vete”, ai u hodh me akuza dhe sharje ndaj opozitës që cmontoi gënjeshtrat e tij këmbëshkurtra me “Venecia” dhe “Strasburg”, që në fakt thoshin ekzaktësisht të kundërtën e asaj që kishte deklaruar me krenarinë e njeriut shkollëpak, leximhic dhe i marrë peng.
Risia e të folurës vetmevete ishte se Edi Rama pranoi se ai është palë në procesin gjyqësor të Belinda Ballukut, njësoj sic është palë në aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë. E në këtë kuptim, Edi Rama ka të drejtë që prokurori i SPAK dhe gjyqtari i GJKKO duhet ta thërrasin herës tjetër si palë në korrupsion krah për krah me të pandehurën Belinda Balluku.”