Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas arrestimit të ish-Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, duke e lidhur hetimin e nisur nga Prokuroria Europiane dhe OLAF me kritikët e tij të mëparshëm ndaj saj.
Këlliçi thekson se Shqipërisë nuk i duhen figura si Mogherini në rrugën drejt BE-së dhe i quan veprimet e saj si “tallje ndaj shqiptarëve”, duke kujtuar lidhjet e saj publike me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Postimi i Këlliçit:
Koha është ilaçi më i mirë!
Prokuroria Europiane (EPPO) dhe Zyra Evropiane kundër mashtrimit (OLAF) arrestojnë sot komunisten Federica Mogherini.
Pas një karriere diplomatike, Mogherini ishte sistemuar në Kolegjin Europian, institucion ku mbante postin e rektores.
Ky institucion sipas Prokurorisë shpenzoi plot 3.2 milion euro në një tender korruptiv për blerjen e një ndërtese strehimi për diplomatët nën trajnim.
Mogherinin ne shqiptarët, sidomos banorët e Tiranës, e mbajmë mend shumë për keq, në momentet kur shfaqej krah të korruptuarit Erion Veliaj, duke na e shitur atë si model suksesi për të rinjtë.
Personalisht e kam denoncuar këtë tallje ndaj shqiptarëve që më 6 shtator 2024, në një ndër protestat e organizuara para Bashkisë Tiranë. Në protestë denoncoheshin çdo javë fakte e prova të reja të hajdutërisë së Veliajt dhe grupit 5D, ndërsa Mogherini dhe ata që i mbanin ison, i bënin shqiptarët për idiotë!
Kjo euroburokrate e korruptuar u shiste moral qytetarëve shqiptarë në mbështetje të një regjimi të kalbëzuar, duke e gjetur problemin përherë tek opozita shqiptare. Së fundmi e bëri këtë akt sërish në mes të Tiranës, vetëm para dy javësh, këtë rradhë krah Edi Ramës.
Nuk e dimë nëse Mogherini ka marrë veset e bashkëpunëtorëve të vet shqiptarë, apo nëse modeli i Mogherinit, është synimi i integrimit europian të Edi Ramës.
Ama një gjë e dimë.
Shqipërisë në rrugën e saj nuk i duhen njerëz si Federica Mogherini. Ata vetëm europianë e modele suksesi nuk janë.
Urimi i vetëm është: Tërheqtë këmbën për Kos!









