Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur ditën e sotme (2 Dhjetor) në GJKKO, ku do të merret vendimi nëse çështja ndaj tij do të kalojë apo jo për gjykim. Gjatë fjalës së tij, Veliaj u shpreh se ende nuk është njohur me 60 mijë faqe të dosjes së tij.
“Fakti që mua personalisht, nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi”, u shpreh Veliaj.
Duke shtuar se: Deri në këtë moment unë nuk jam njohur asnjëherë, as për një ditë, as për një faqe, me përmbajtjen e dosjes penale që numëron rreth 60.000 faqe. USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të mi nuk mund të më dorëzohet ligjërisht, sepse rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike. Ky nuk është një kufizim i rastësishëm: është një pamundësi objektive, e cila e bën formal çdo pretendim se “dosja më është vënë në dispozicion”.









