Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian kanë arritur një marrëveshje për rregulloren që parashikon eliminimin gradual të importeve të gazit natyror nga Rusia.
Siç shihet kjo marrëveshje ka ardhur pas refuzimit të Planit të Paqes me 28 pika nga presidenti rus Vladimir Putin, takimi i këtij të fundit u bë në Moskë me përfaqësuesit e delagacionit amerikan por pa asnjë rezulat konkret.
Afatet për ndërprerjen e kontratave
Kontratat afatshkurtra të nënshkruara para 17 qershorit 2025 duhet të ndërpriten më 25 prill 2026 për GNL-në dhe më 17 qershor 2026 për gazin nga gazsjellësit.
Kontratat afatgjata të GNL-së do t’i nënshtrohen ndalimit më 1 janar 2027, në përputhje me sanksionet e paketës së 19-të kundër Rusisë.
Kontratat afatgjata të gazit të tubacioneve do të ndalohen nga 30 shtatori 2027, me kusht që vendet anëtare të përmbushin objektivat e mbushjes së rezervave të gazit. Afati më i vonshëm i mundshëm është 1 nëntor 2027.
Sipas rregullores, shtetet anëtare do të duhet të paraqesin plane kombëtare të diversifikimit, duke përcaktuar hapat për ndërprerjen e energjisë ruse. Parashikohet gjithashtu një sistem autorizimi paraprak për importet e gazit, si rus, ashtu edhe jo rus, për të siguruar zbatimin korrekt të ndalimit.
Aktualisht, Sllovakia dhe Hungaria janë të vetmet vende të BE-së që vazhdojnë të importojnë naftë ruse, e cila përbën rreth 80% të importeve të tyre gjithsej të naftës së papërpunuar.
Marrëveshja përfshin sanksione për vendet që nuk respektojnë ndalimin, si dhe një klauzolë pezullimi në rast të një “kërcënimi për sigurinë e furnizimit energjetik” të një ose më shumë shteteve anëtare. Rregullorja do të rishikohet brenda dy vitesh nga hyrja e saj në fuqi.
“Sot është një ditë historike për Bashkimin Europian: shumë mendonin se nuk do të ishte e mundur, por ja që ndodhi. E kam ditur gjithmonë se do t’ia dilnim. Tani jemi gati të hapim bashkëpunime me partnerë të rinj e të besueshëm. Ky është vetëm fillimi i një suksesi të vërtetë europian”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.









