Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Fushë Krujë në prag të ndeshjes së javës së 14 të Kategorisë së Parë mes Ilirisë dhe Skënderbeut. Në prag të kësaj ndeshjeje janë sulmuar futbollistë dhe trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka.
Ernest Gjoka tregoi se në momentin që shkuan në dhomat e zhveshjes futbollistë të skuadrës së Ilirisë i sulmuan duke goditur disa prej futbollistëve të tij Saleh Nasr, Altin Ukiçi, Mario Gjata, Ramos, Babakar.
Federata Shqiptare e Futbollit anuloi ndeshjen. ‘Federata e Futbollit njofton se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur sot në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e mbërritjes së ekipit të Skënderbeut në stadium, mësohet se ka pasur një incident mes lojtarëve dhe stafit të klubit Iliria, ku dyshohet se janë përfshirë edhe në konfrontime fizike.
Për shkak të këtyre rrethanave dhe problematikave të ngritura për sigurinë, është vendosur që ndeshja të mos luhet. Çështja do të shqyrtohet nga komisionet juridike të FSHF-së, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me këtë ndeshje’-theksohet në një komunikatë për shtyp të qeverisë së futbollit shqiptar.









