Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, deklaroi nga foltorja gjatë takimit me strukturat e PD në Durrës se qytetarët po përballen me një autokraci. Ervin Salianji tha se shqiptarët thërrasin me dhimbje ndërsa shtoi se këto thirrje duhet të rendojnë në peshën e përgjegjësisë së çdo politikani.
Teksa akuzoi Edi Ramën se ka shkatërruar vendin dhe se është autokrat, nuk la pa kritikuar Partinë Demokratike. Salianji tha se shqiptarët janë larguar dhe se zgjedhjet janë kthyer në një arenë lufte edhe për shkak të paaftësisë së opozitës për të bindur shqiptarët për të shkuar drejt kutive të votimit.
“E kam ndjerë këtë thirrje. PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin. Ky ndryshim fillon edhe nga kjo sallë si takim i parë që po zhvillojmë me demokratët.
Nga ky brez që i dëgjuat pak më parë, nga kjo energji e pashterrshme në PD por që nuk iu jepet mundësia për arsye që i dini. Shqipëria sot po plaçkitet. Shqipëria po shpopullohet, po plaket, sikur jeta e një kombi të kishte filluar numërimin mbrapsht.
Edi Rama është autokrati që përfaqëson një grush njerëzish. 40 për qind e popullsisë është larguar. Kjo nuk është statistikë, është kambanë mortore për një komb. Shqiptarët janë krenaria jonë në çdo cep të globit.
Kemi dëbuar fytyrën më të bukur të Shqipërisë, por ata nuk e kanë harruar vendin. E duan Shqipërinë dhe presin nga ne një gjë të thjeshtë, t’i japim së bashku arsye që të kthehen në Shqipëri.
Sot është koha për të folur edhe për ne, demokratët. Edi Rama ka rrethuar votuesit. Përdor mjete të ndyra në politikë dhe ka prishur procesin politik në Shqipëri. Zgjedhjet janë si një luftë mes ndërvarësisë për bukën e gojës, shtrëngimin me vendin e punës, apo sipërmarrjen, zhvlerësimin e qytetarit të lirë apo krimit të organizuar.
Duhet ta themim hapur dhe me sinqeritet, një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e PD si forca më e madhe opozitare në vend, për të qenë bindëse, për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, për t’i fituar zgjedhjet.
Unë kam një thirrje sot për të gjithë shqiptarët. Bashkohuni me ne. Do ta mundim Edi Ramën bashkë, të hapur të bashkuar, të ripërtërirë dhe do t’i sjellim Shqipërisë ndryshimin”, tha Salianji.









