Pas marrjes në pyetje të ish zyrtares së lartë të BE, Federica Mogherinit, diplomatit Stefano Sannino dhe personit të tretë Cesare Zegrettit, thelbi i hetimit mbetet i pandryshuar.
Ata dyshohen për mashtrim në tendera, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional, raporton Ansa.
Të tre u lanë të lirë, pa asnjë masë sigurie. Sipas hetuesve, nuk ekziston rrezik arratisjeje dhe parimi i prezumimit të pafajësisë mbetet plotësisht në fuqi.
Vetë autoritetet që po koordinojnë hetimin i cili, sipas zyrës së anti-mashtrimit OLAF, ka nisur nga një kallëzim që po ngre gjithnjë e më shumë pikëpyetje në Bruksel, pranojnë se sinjalizimi mund të ketë ardhur nga brenda institucionit.
Dyshohet se një “informator” i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), institucioni ku Mogherini dhe Sannino kanë punuar për vite, ka raportuar anomalitë e mundshme, duke kthyer vëmendjen te marrëdhëniet mes Brukselit dhe Bruges dhe tek Kolegji i Europës, që stërvit diplomatët e rinj.
Hetuesit po analizojnë data, dokumente dhe procedura tenderimi, në një çështje që mbetet ende e paqartë. Një nga elementet më të diskutueshme është blerja e ndërtesës në Spanjaardstraat nga Kolegji i Europës, pak para hapjes së një prej tenderëve.
Kjo përkim kohore ka ngritur dyshime për ndërhyrje të mundshme në procedurën e garës. Mogherini, Sannino dhe Zegretti iu përgjigjën pyetjeve për orë të tëra dhe, pasi u lanë të lirë, publikuan reagimet e para.
“E kam sqaruar pozicionin tim para hetuesve të Prokurorisë Evropiane. Akademia ka zbatuar dhe do të vazhdojë të zbatojë standardet më të larta të integritetit dhe drejtësisë,” deklaroi Mogherini në një njoftim të publikuar në faqen e Kolegjit.
Në deklaratë ajo shprehu “besim të plotë te sistemi gjyqësor” dhe se pret që “korrektësia e veprimeve të institucionit” të vërtetohet.
Qëndrim i ngjashëm erdhi edhe nga Sannino, i cili siguroi “bashkëpunim të plotë” me autoritetet. Megjithatë, përballë presionit dhe me paralelisht një hetim administrativ të OLAF-it mbi dyshime për favorizime në emërimet brenda EEAS, ai vendosi të japë dorëheqjen nga Komisioni Europian, ku prej fillimit të vitit drejtonte politikat për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin Persik. Dorëheqja iu komunikua stafit të Komisionit me anë të një letre.
Ndërkohë, një email nga përfaqësuesja e lartë aktuale, Kaja Kallas, e ka tensionuar më tej situatën. Ajo foli për “akuza tronditëse” dhe theksoi se “integriteti dhe përgjegjshmëria duhet të përmirësohen” nën mbikëqyrjen e saj, deklaratë që u interpretua si distancim i qartë nga Mogherini dhe Sannino.
Asnjë shenjë solidariteti, ndërkohë që brenda EEAS po flitet për plasaritje të brendshme, madje edhe për ndikime të mundshme pro-ruse. Në Berlin, qeveria gjermane u shpreh se besimi tek Ursula von der Leyen “nuk vihet në dyshim”.
Von der Leyen, tashmë nën kritika për çështje transparence, përballet tani me tensione të reja brenda krahut diplomatik të BE-së, pikërisht në momentin kur zhvillohen negociata të ndjeshme për Ukrainën.
Nga Moska, pas deklaratave të ashpra fillestare, toni është zbutur. Zëdhënësi Dmitry Peskov e quajti çështjen “një problem të brendshëm të BE-së”, duke shtuar se “korrupsioni ekziston kudo”. Një kthesë toni që ka shtuar edhe më shumë pasiguri.









