Ndeshja mes Ilirisë dhe Skënderbeut u anulua pasi në dhomat e zhveshjes të stadiumit “Redi Maloku” ndodhi një incident fizik. Shefi i klubit korçar, Ilirjan Përmeti, tha se situata e krijuar e bëri të pamundur zhvillimin e ndeshjes.
Sipas tij, sapo ekipi hyri në dhomat e zhveshjes, ndodhi një përplasje ku disa lojtarë u goditën.
“Ekipi hyri në dhomat e zhveshjes dhe aty ndodhi një përplasje fizike. Kjo është e vërtetueshme, pasi 4-5 lojtarë tanë kishin shenja në trup,” deklaroi Përmeti.
Ai shtoi se në këto rrethana ekipi nuk mund të vijonte ndeshjen:
“Me tensionin dhe frikën që ishte krijuar, zhvillimi i ndeshjes ishte i pamundur.”
Përmeti theksoi se Skënderbeu nuk kërkon konflikt me Ilirinë:
“Nuk jam këtu për të replikuar me klubin Iliria… Ne nuk abuzojmë me askënd,” u shpreh ai.
Ndërkohë, policia njoftoi se dy futbollistë dhe një zyrtar i Ilirisë po hetohen në gjendje të lirë për incidentet.
Tashmë, komisionet disiplinore të FSHF-së do të vendosin për fatin e takimit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që Skënderbeu ta fitojë në tavolinë për shkak se Iliria, si organizatore, nuk garantoi sigurinë.









