Më 5 dhjetor, në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kryetarët e rinj nga Lista Serbe betuan para simboleve shtetërore të Kosovës, duke rimarrë zyrtarisht pushtetin.
Avokati Gazmend Halilaj e konsideroi këtë akt si një afirmim të sovranitetit të Kosovës dhe një hap drejt konsolidimit të institucioneve legjitime në veri, duke theksuar se ky zhvillim forcon pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe shënon fillimin e një normalizimi real në zonë.
“Betimi i kryetarëve serbë para simboleve të Kosovës është një akt me peshë të jashtëzakonshme politike dhe shtetërore. Ky moment jo vetëm shënon fillimin e mandatit të tyre, por edhe afirmon sovranitetin e Kosovës dhe funksionimin e rendit kushtetues në çdo cep të territorit. Ai dëshmon se sovraniteti nuk negociohet, institucionet e vendit janë të legjitime, dhe integrimi i veriut po ndodh në mënyrë demokratike dhe ligjore,” theksoi avokati Gazmend Halilaj.









