Qeveria britanike po shqyrton ofrimin e më shumë se 3 mijë paundëve për qindra familje shqiptare, me qëllim nxitjen e largimit të tyre vullnetar nga Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të masave të reja për ashpërsimin e politikave të emigracionit.
Nisma vjen pasi Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, njoftoi në Parlament se rreth 700 familje shqiptare, përfshirë edhe ato me fëmijë, pritet të deportohen si pjesë e reformës së qeverisë në këtë fushë.
Shumë prej tyre kanë marrë tashmë refuzim për kërkesat e azilit, por kanë vijuar të qëndrojnë në vend. Zëvendësministri britanik për Sigurinë e Kufijve, Alex Norris theksoi se fëmijët e lindur në Mbretërinë e Bashkuar nga prindër me kërkesa të refuzuara për azil nuk përjashtohen nga procesi i deportimit. Sipas tij, rastet do të trajtohen “rast pas rasti”, por ligji i emigracionit lejon largimin e të gjithë anëtarëve të familjes.
“Për momentin mund t’u paguajmë rreth 3 mijë stërlina dhe nuk kërkoj ndjesë për këtë. Fëmijët e azilkërkuesve të dështuar do të largohen nga Britania edhe nëse janë lindur këtu,” deklaroi Norris.









