Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), – autoriteti rregullator i pavarur, me rol kryesor për të realizuar mbikëqyrjen publike dhe për të siguruar që audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit të jenë subjekt i një sistemi që jep siguri për cilësinë në mbrojtjen e interesit publik – është miratuar si anëtar vëzhgues në Komitetin e Autoriteteve Europiane të Mbikëqyrjes së Auditimit CEAOB).
Dritan Fino, Kryetar i BMP, thotë se ishin një sërë faktorësh që e bënë Bordin të vetmin në rajon, që të anëtarësohej në CEAOB, ku më kryesorët janë: zbatimi i reformave strategjike në përafrimin e ligjit të auditimit dhe miratimi i akteve nënligjore sipas kuadrit të BE-së, rritja e pavarësisë institucionale dhe transparencës së mbikëqyrjes, si dhe implementimi i kërkesave të Direktivës dhe Rregullores së BE-së për sistemet e sigurimit të cilësisë dhe kontrollet përkatëse për auditimet e njësive ekonomike me interes publik, së bashku me përmirësimin e kuadrit ligjor e rregullator dhe forcimin e sistemit të investigimit dhe sanksionimit.
CEAOB është struktura më e lartë profesionale dhe rregullatore për auditimin brenda BE; ajo siguron zbatimin e njëtrajtshëm dhe efektiv të kërkesave të kuadrit ligjor europian në të gjitha shtetet anëtare dhe më gjerë.
Kryetari i CEAOB, z. Panos Prodromides, tha se pjesëmarrja si vëzhgues në CEAOB, siguron një mekanizëm të strukturuar për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim teknik midis autoriteteve të mbikëqyrjes së auditimit.
“Të fitosh statusin e Vëzhguesit të CEAOB, autoritetet duhet të përmbushin një sërë kriteresh të qarta pranimi.
Këto kritere përfshijnë demonstrimin e një interesi legjitim për marrjen e statusit të vëzhguesit, garantimin e pavarësisë së plotë nga profesioni i auditimit, konfirmimin e përfitimit të ndërsjellë nga bashkëpunimi, si dhe dhënien e një deklarimi me shkrim mbi aftësinë për të respektuar detyrimet strikte të konfidencialitetit, sikurse shpaloset në kërkesat e Rregullores së Auditimit dhe në kuadrin e vlerësimit të përcaktuar nga CEAOB”, shton kreu i CEAOB.
Z. Fino thotë se ky status e vendos BMP krah autoriteteve homologe të BE-së dhe konfirmon se Shqipëria, jo vetëm po përafron legjislacionin, por po bëhet realisht pjesë e komunitetit europian të mbikëqyrjes.
Në një intervistë për “Monitor”, Dritan Fino, kryetari i BMP, flet për rëndësinë e mbikëqyrjes dhe transformimin e institucionit gjatë viteve të fundit, si rrjedhojë e projekteve të mbështetura nga Banka Botërore.
Cili është ndryshimi më i rëndësishëm në funksionimin e BMP që nga nisja e projektit SQARP?
Prej fillimit të reformave strategjike të mbështetura nga Banka Botërore, të cilat kulmuan me projektin më të fundit: Strengthening Quality of Auditing and Reporting Project (SQARP) – Projekti për Forcimin e Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit, BMP ka kaluar një transformim të rëndësishëm nga një organ kolegjial, pa burime mbështetëse, në një rregullator modern dhe profesional, të krahasueshëm me autoritetet europiane të mbikëqyrjes.
Ky ndryshim nuk lidhet vetëm me rritjen dhe forcimin e kapaciteteve të veta mbështetëse, por mbi të gjitha me profesionalizimin e proceseve: hartimin dhe zbatimin e një metodologjie të bazuar në rrezik, standardizimin e procesit të kontrollit të sigurimit të cilësisë, forcimit të lidhjes mes gjetjeve të kontrollit dhe masave disiplinore, si dhe vizionin për nisjen e transformimit digjital të mbikëqyrjes.
Përmes angazhimeve të njëpasnjëshme të Bankës Botërore — në kuadër të vlerësimeve ROSC, programeve CAP dhe REPARIS, dhe së fundmi projektit SQARP — BMP ka kaluar një reformim të thellë strukturor, duke u pozicionuar sot si një institucion me kapacitete të plota mbikëqyrëse.
Ai ushtron funksione profesionale në kryerjen e kontrolleve të sigurimit të cilësisë, në investigim dhe në vendosjen e masave disiplinore për zbatimin e ligjit të auditimit.
BMP ka harmonizuar proceset e mbikëqyrjes me Direktivën e Auditimit të BE-së, përmes implementimit të metodologjisë së qasjes së bazuar në rrezik dhe modernizimit të praktikave të inspektimit.
Si rezultat, BMP sot udhëheq rajonin dhe konsiderohet një model referimi nga homologët e tij në vendet e rajonit.
Zhvillimet në mbikëqyrje nuk kanë mbetur vetëm në nivel institucional – ato kanë sjellë një transformim të dukshëm në tregun shqiptar të auditimit.
Rezultatet e inspektimeve më të strukturuara, harmonizimi me Direktivën e BE-së dhe fuqizimi i sistemit të disiplinës kanë rritur standardet profesionale dhe ndërgjegjësimin brenda profesionit.
Një tregues i qartë i këtij ndikimi është rritja e volumit të honorarëve nga auditimi ligjor, që reflekton kërkesën më të lartë për cilësi dhe ushtrimin e presionit pozitiv rregullator mbi shërbimet profesionale.
Kështu, ndërsa në vitin 2018, tregu ka gjeneruar një total honorarësh nga auditimi prej 6.5 milionë eurosh, në vitin 2024, ky treg ka gjeneruar një total prej 14,88 milionë eurosh, pra gati një dyfishim i tij.
Ky tregues, përveç zhvillimit ekonomik, lidhet me rritjen e ndërgjegjësimit profesional se një auditim cilësor ka vlerë, ka kosto dhe ka përgjegjësi.
Rregullatori modern – BMP i sotëm – u bë shtysa që solli këtë ndryshim: me kontrolle më të qarta, me standarde më të larta, me një proces disiplinor të besueshëm.
Kjo rritje tregon se mbikëqyrja efektive është faktor kyç për rritjen e vlerës së shërbimeve profesionale, duke ndikuar pozitivisht në stabilitetin financiar dhe në besimin e investitorëve.
Cilat janë arritjet kryesore në fushën e investigimit dhe marrjes së masave disiplinore?
Në inspektime, BMP ka ngritur një sistem të ri që përputhet me praktikat më të mira europiane. Janë zhvilluar metodologji të detajuara për kontrollin e sigurimit të cilësisë së auditimeve të njësive ekonomike me interes publik, janë implementuar kontrolle tematike të orientuara drejt zonave me risk të lartë, si dhe është standardizuar dokumentimi dhe mënyra e raportimit.
Për sa i përket procesit të investigimit dhe marrjes së masave disiplinore, BMP ka hartuar një kuadër rregullator me qëllim ngritjen e një sistemi që siguron vendimmarrje të drejtë, proporcional dhe konsistent, në funksion të zbatimit të kërkesave të ligjit dhe standardeve profesionale.
Për më tepër, angazhimi si pjesë e grupit të punës për masat shtrënguese të IFIAR (IFIAR Enforcement VVorking Group) ka hapur derën për shkëmbim të drejtpërdrejtë të praktikave të investigimit dhe disiplinës me autoritete mbikëqyrëse të vendeve më të zhvilluara, si një tregues i rëndësishëm i funksionimit të sistemit në zbatim dhe të nivelit të profesionalizmit të BMP.
Si ka ndikuar delegimi i procesit të inspektimeve të angazhimeve të auditimit ligjor të njësive jo me interes publik tek Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar?
Edhe pse delegimi i kontrollit të sigurimit të cilësisë tek Organizata Profesionale e Audituesve Ligjorë (IEKA) ka rritur efikasitetin e mbikëqyrjes, ka ende shumë punë për të bërë lidhur me forcimin e kapaciteteve të IEKA, përmirësimet e vazhdueshme në kualifikimin e vijueshëm profesional, me qëllim forcimin e kapaciteteve të praktikuesve të vegjël e të mesëm, përmirësimin e qeverisjes së organizatës etj.
Ndërsa BMP është fokusuar në kontrollet e cilësisë të njësive ekonomike me interes publik bazuar në rrezik, proceset e zbatimit të ligjit dhe investigimet, në politikat strategjike për mbikëqyrjen dhe zhvillimin e profesionit, nga ana tjetër, nëpërmjet delegimit i ka dhënë IEKA një rol më të konsoliduar në mbikëqyrjen e auditimeve të njësive ekonomike jo me interes publik.
Kjo është një qasje, e ngjashme me modelet dhe praktikat e BE-së dhe ka kontribuar edhe në ndryshimin e kulturës brenda profesionit, si dhe ka krijuar një mjedis ku rregullat zbatohen në mënyrë të barabartë, ndërsa besimi midis rregullatorit, organizatës profesionale dhe praktikuesve është forcuar dukshëm.
Dua të theksoj se pas pothuaj dy dekadash ndërveprimi, BMP dhe IEKA kanë nënshkruar marrëveshjen me ACCA – Association of Chartered Certified Accountants, si një dëshmi jo vetëm i standardeve të larta të punës dhe të besueshmërisë institucionale, por edhe i vizionit të përbashkët dhe i përputhshmërisë së praktikave të mbikëqyrjes dhe të zbatimit të ligjit.
Cilat janë sfidat që mbeten në zbatimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik?
Pavarësisht progresit të dukshëm, lufta kundër informalitetit mbetet një fushë ku tregu shqiptar përballet me disa sfida të natyrshme për një vend në proces integrimi. Këto sfida janë të përbashkëta edhe me tregjet europiane, por marrin peshë më të madhe në një treg të vogël e të ndjeshëm ndaj riskut reputacional.
Beteja për cilësinë e auditimit dhe raportimit financiar si komponent i rëndësishëm për luftën ndaj informalitetit dhe sfidat profesionale kryesore që lidhen me:
- Kapacitetet teknike dhe specializimet e reja: Auditimet moderne kërkojnë ekspertizë në fusha si: auditimi i sistemeve IT, raportimi i qëndrueshmërisë (ESG/CSRD), vlerësimi i instrumenteve financiare, auditimi i institucioneve financiare dhe fintech.
- Kultura e dokumentimit të punës: Kontrollet e BMP tregojnë se shumë auditues ligjorë dhe shoqëri audituese të mesme e të vogla ende janë në tranzicion drejt përmirësimit të dokumentimit, zbatimit rigoroz të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, dokumentimit të analizave të riskut që udhëheqin auditimin, përdorimit të teknologjisë dhe mjeteve digjitale për analizimin e të dhënave.
A ndikon përmirësimi i mbikëqyrjes në luftën kundër informalitetit dhe pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit?
Nëse cilësia është sfida teknike e profesionit, lufta kundër informalitetit dhe pastrimit të parave është fronti i përbashkët që ndikon interesin e gjerë të publikut dhe pika kyçe që ndërlidh punën e përbashkët të institucioneve publike dhe mbikëqyrëse të vendit.
Profesionistët kontabël vlerësohen si një hallkë e rëndësishme parandalimi e informalitetit, skemave të keqpërdorimit financiar dhe pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
E në këtë drejtim, BMP ka dhënë kontributin e tij lidhur me dhënien e udhëzimeve mbi vlerësimin e rreziqeve dhe forcimin e kërkesave të pajtueshmërisë së sistemeve të brendshme të subjekteve të mbikëqyrura me qëllim rritjen e efikasitetit të parandalimit.
BMP, si mbikëqyrës i profesioneve të lira jofinanciare, është ndër institucionet që ka dhënë një kontribut të çmuar në zbatimin e planit të veprimit për daljen e vendit nga “lista gri” dhe një pjesëmarrës aktiv në kuadër të vlerësimit kombëtar të riskut, në raportimet për MONEYVAL dhe në grupet e punës ndërinstitucionale.
Nuk është një betejë e dukshme dhe nuk ka statistika spektakolare, por kjo është një nga betejat e përditshme të punës sonë në luftën e përbashkët kundër informalitetit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke e bërë rolin e BMP edhe më të rëndësishëm.
Si e shihni rolin e BMP në përputhje me Direktivën e Auditimit të BE dhe integrimin në rrjetin e CEAOB?
Forcimi i rolit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike gjatë viteve të fundit është një nga historitë më të rëndësishme të konsolidimit institucional në mjedisin e auditimit ligjor dhe të raportimit financiar në Shqipëri.
I mbështetur nga reformat e mësipërme dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, BMP ka ndërtuar themelet e një autoriteti modern mbikëqyrës, që funksionon në mënyrë të pavarur, të standardizuar dhe të orientuar nga rreziku.
Rruga drejt BE-së nuk është vetëm proces politik, por edhe proces teknik i konvergjencës me standardet europiane të mbikëqyrjes.
Zbatimi i reformave strategjike në përafrimin e ligjit të auditimit dhe miratimi i akteve nënligjore sipas kuadrit të BE, rritja e pavarësisë institucionale dhe transparencës së mbikëqyrjes, si dhe implementimi i kërkesave të Direktivës dhe Rregullores së BE për sistemet e sigurimit të cilësisë dhe kontrollet përkatëse për auditimet e njësive ekonomike me interes publik, së bashku me përmirësimin e kuadrit ligjor e rregullator dhe forcimin e sistemit të investigimit dhe sanksionimit, sollën një nga sukseset më të rëndësishme për BMP dhe për vendin tonë: miratimin si anëtar vëzhgues në CEAOB – Komitetin e Autoriteteve Europiane të Mbikëqyrjes së Auditimit.
CEAOB është struktura më e lartë profesionale dhe rregullatore për auditimin brenda BE; ajo siguron zbatimin e njëtrajtshëm dhe efektiv të kërkesave të kuadrit ligjor europian në të gjitha shtetet anëtare dhe më gjerë.
Përfaqësimi në këtë strukturë është një fakt konkret i gatishmërisë dhe integrimit institucional në sistemin europian mbikëqyrës të auditimit, që i hap dyert pjesëmarrjes në tryeza të rëndësishme, ku hartohen praktikat më të mira, shkëmbehen eksperiencat rregullatore, ndërtohen qasjet e unifikuara të kontrollit të sigurimit të cilësisë dhe koordinohen nismat për rritjen e cilësisë së auditimit.
Ky status e vendos BMP krah autoriteteve homologe të BE-së dhe konfirmon se Shqipëria jo vetëm po përafron legjislacionin, por po bëhet realisht pjesë e komunitetit europian të mbikëqyrjes.
Pas një vlerësimi të detajuar dhe gjithëpërfshirës kundrejt këtyre kritereve, Shqipërisë i është dhënë statusi i Vëzhguesit në nivelin Plenar, i miratuar në Nëntor 2025.
Ky vendim pasqyron marrëdhënien konstruktive dhe besimin që është zhvilluar me partnerët europianë, të mbështetur nga komunikimi i hapur dhe objektivat e përbashkëta.
Statusi i vëzhguesit ofron një platformë të vlefshme për shkëmbimin e perspektivave mbikëqyrëse dhe për të nxitur një përputhje më të ngushtë me praktikat europiane.
Duke parë përpara, ky angazhim i shtuar do të kontribuojë në një mjedis të raportimit financiar, më koherent, transparent dhe të adaptueshëm ndaj ndryshimeve, në të gjithë rajonin e gjerë./Monitor









