Raportohet për një ngjarje konflikti në qytetin e Durrësit mes një çifti të moshuarish, bashkëshorti i saj 76 vjeç e ka goditur me një shkop druri në kokë 70 vjeçaren, kjo e fundit ka mbetur e plagosur rëndë.
Dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobta.
Pas plagëve të marra rëndë, 70 vjeçarja është transportuar në spitalin e Traumës.
Njoftimi i policisë:
Durrës/ Tentoi të vriste bashkëshorten duke e plagosur rëndë me një send të fortë, vihet në pranga menjëherë nga Policia 76-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, me marrjen e njoftimit për një rast dhune në familje në lagjen nr. 17, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, duke bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës me pasoja të rënda për jetën.
Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 76 vjeç, autorin e dyshuar të ngjarjes.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 76-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. D., 70 vjeçe, duke e goditur me send të fortë (shkop druri) në kokë. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e dhunës me pasoja të rënda për jetën.
Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.









