Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka shprehur hapur pakënaqësitë ndaj kreut të PD-së Sali Berisha, duke thënë se lideri i PD nuk po merr parasysh zërat e demokratëve të cilët sot e 12 vite janë të lodhur dhe pa pushtet.
Fjala e Salianjit
Pakënaqësia që kam unë ndaj kryetarit të PD është që nuk po dëgjon në mënyrën e duhur zërin e anëtarësisë. E dyta dhe më e rëndësishmja, nuk po i përshtatet nevojave të shoqërisë për ndryshim. Anëtarësia voton disa, lidershipi zgjedh disa të tjerë.
Anëtarësia e PD kërkon revoltë, ne bëjmë foltore. Anëtarësia kërkon analizë, ne duam të bindim që zgjedhjet janë të vjedhura, këtu të gjithë janë të bindur që zgjidhet vidhen, por si ta zgjidhim këtë problem.
Ne kemi një analizë të humbjes pse kemi humbur, por kemi një analizë tjetër dhe që nuk e thotë askush; pse nuk analizon PD fitoret? PD ka fituar në 6-7 bashki, pse nuk e bën analizën pse ka fituar.
Avantazhi është përfaqësimi, kandidatët e rinj pa konsum dhe pa pasur mëkate, kandidatë që janë shtyrë dhe zgjedhur nga anëtarësia dhe dakordësi nga e gjithë pjesa e partisë. Të marrim modelin e këtyre zonave dhe ta çojmë në zonat e tjera.









