Sipas raportit, 40.84% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “helper” (ndihmës), një kategori që përfshin punë të pakualifikuara ose gjysmë-kualifikuara, si punë fizike, logjistikë, shërbime dhe industri bazë. Ky është ndër nivelet më të larta në rajon, krahasuar me Bosnjën (30.43%) dhe Serbinë (33.59%).
Në kategoritë e larta profesionale, Shqipëria qëndron ndjeshëm më poshtë se vendet e tjera. Vetëm 4.54% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “specialistë”, si infermierë të kualifikuar, teknikë të avancuar, profesionistë të shëndetësisë apo role që kërkojnë diploma të caktuara. Ndërkohë, vetëm 5.53% janë në kategorinë “ekspert”, e cila përfshin profesionistë me arsim të lartë universitar, inxhinierë, IT specialistë, ekspertë financiarë apo role të tjera të nivelit të lartë.
Krahasimi me vendet e tjera të Ballkanit tregon një diferencë të dukshme: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përqindje më të larta të punonjësve të kualifikuar dhe specialistëve, ndërsa Shqipëria mbetet e fokusuar te punët me vlerë të ulët të shtuar. Ndërkohë, vendet e BE-së, veçanërisht Europa Perëndimore, kanë një strukturë krejt tjetër, me më shumë se 26% deri 30% të punonjësve të tyre në kategori specialiste ose eksperte.
Në total, 89.78% e shqiptarëve punojnë në dy kategoritë më të ulëta të aftësive — “helper” dhe “skilled worker”.
Ky profil i fuqisë punëtore shqiptare në Gjermani tregon nevojën e tregut gjerman për punëtorë në sektorë bazë dhe mungesën e një baze të gjerë profesionistësh të kualifikuar nga Shqipëria, e cila lidhet si me cilësinë e arsimit profesional, ashtu edhe me nivelin e ulët të pagave në profesione të larta në vend, që shpesh dekurajojnë ndjekjen e karrierave të specializuara.
Në terma afatgjatë, ky trend krijon sfida për tregun e punës shqiptar, duke rritur rrezikun e boshatisjes së profesioneve të kërkuara, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga emigracioni./ Monitor









