Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho, shprehu emocionin dhe ambiciet e ekipit pas kualifikimit në play-off-in e Kupës së Botës 2026. Në një intervistë për ‘gianlucadimarzio.com’, ai theksoi se ëndrra e kuqezinjve është të sigurojnë një vend në turneun që zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Sylvinho foli për përvojën e tij në Shqipëri, ku ka gjetur një ambient miqësor dhe të ngjashëm me Brazilin në kontaktin njerëzor. Ai vlerësoi përgatitjen e ekipit, diversitetin e lojtarëve dhe ndikimin e futbollit italian në zhvillimin taktik të kombëtares.
Trajneri përmendi dy lojtarët që kanë bërë përparimin më të madh, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti, dhe theksoi rëndësinë e përgatitjes për fazën eliminatore. Sylvinho shprehu besimin se Shqipëria ka mundësi reale të realizojë ëndrrën historike për t’u kualifikuar për herë të parë në një Kupë Botërore.









