Policia e Gjirokastrës zbuloi një skemë të dhënies së parave me fajde dhe pastrimit të parave përmes dy subjekteve “Exchange” që operonin në Tiranë dhe Gjirokastër.
Pas një hetimi disamujor me metoda speciale, policia finalizoi operacionin “Trace the flow”, ku u vunë në pranga 3 persona ndërsa një tjetër u shpall në kërkim, të cilët jepnin me fajde, para me burime kriminale.
Gjatë kontrolleve në dy bizneset dhe në banesat e tyre u sekuestruan mbi 26.9 milionë lekë, shuma në valuta të huaja, pajisje elektronike dhe blloqe me shënime.
“Nga 2 subjektet dhe nga banesat e këtyre shtetasve, u sekuestruan: 26 963 200 lekë, 132 760 euro, 42 596 dollarë amerikanë, 8 780 paunde, 10 380 franga, 3145 dollarë kanadezë, 85 720 lira turke, 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimit”, njofton policia, e cila po punon për kapjen e 27-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.









