I katërti dhe i fundit ishte prokurori Klodian Braho, që paraqiti platformën për drejtues të SPAK-ut përpara KLP-së. Braho sqaroi edhe vizionin e tij.
“Vizioni im përfshin organizimin dhe konsolidimin e SPAK, ndërtimin e një strukture model e aftë dhe e përgatitur për sfidat e reja të krimit të organizuar dhe korrupsionit duke ofruar rezultate të matshme duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtësisë për të fituar besimin e qytetarëve dhe respektin e tyre si dhe të institucioneve në Shqipëri dhe partnerëve ndërkombëtarë.
SPAK ka një kornizë të miratuar. Plani Strategjik 2024-2027, strategjia e komunikimit dhe strategji për trajtimin e çështjeve të mbajtura. Do ndërmarr masat për vënien në zbatim të këtyre tre dokumenteve që janë dokumente të mirëmenduar dhe mirëdiskutuara edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtare.
Sa i përket ushtrimit të ndjekjes penale së pari në cilësinë e drejtuesit të SPAK, do të garantoj zbatimin e parimit të barazisë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin. SPAK do vazhdojë të ushtrojë të drejtën penale, të ngrejë akuza të bazuara në ligj dhe në prova ndaj cilitdo që ka kryer veprën penale pavarësisht pozitës së tyre”, tha Braho.









