Forcat speciale RENEA kanë zhvilluar një operacion të gjerë në zonat e Fushë Kuqes dhe Dobraçit, ku u arrestuan dy persona, Elvin Merlika dhe Fred Xhixha, të dyshuar për lidhje me një plan të porositur nga Ervis Martinaj për të vrarë Indrit Doklen.
Merlika, i arrestuar për “Sigurimin e kushteve për të kryer vrasje”, ka qenë pjesë e grupit kriminal që planifikoi vrasjen e Dokles, duke marrë një shumë prej 100.000 eurosh si paradhënie për realizimin e kësaj veprimi kriminal.
Po kush është Elvin Merlika?
Elvin Merlika dyshohet si pjesë e grupit kriminal që planifikoi vrasjen e Indrit Dokles. Ai akuzohet për veprat penale të: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, si dhe personave të lidhur me të.
Në janar të këtij viti SPAK bëri kërkesën për konfiskim të pasurive të Merlikës dhe tetë personave të lidhur me të. Sipas SPAK pasuritë e sekuestruara të tij janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta. Ndaj SPAK kërkoi konfiskimin e 20 pronave, nga hoteli, apartamente tek makinat luksoze.









