Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbajtur një fjalim në tubimin e partisë “Vëllezërit e Italisë”, ku theksoi angazhimin e Italisë për mbështetje ndaj Ukrainës dhe kritikoi politikën e mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se sigurimi i ofruar nuk ishte “falas”.
“Që nga dita e parë ne qëndruam pranë popullit ukrainas, i cili po lufton neo-imperializmin me karakter sovjetik. Sepse, këtu, askush nuk ndjen nostalgji për Bashkimin Sovjetik, i cili shkeli gjysmën e Evropës, për gjysmë shekulli. Ne ia dhamë sigurinë tonë Shteteve të Bashkuara, duke menduar se kjo e sotmja nuk do të vinte kurrë. Duke pretenduar, mbi të gjitha, se do të ishte falas, por nuk ishte. Unë kam qenë prej kohësh në favor të një shtylle evropiane të NATO-s, me forcë dhe dinjitet të barabartë me atë amerikane dhe të aftë për dialog, me të drejta të plota, me të gjitha fuqitë e mëdha të planetit. Agjencitë e vlerësimit po e rishikojnë gjykimin e tyre për Italinë për mirë, duke e vendosur aty ku e meriton të jetë, përkatësisht në Kategorinë A. Kjo do të thotë që obligacionet tona po bëhen më tërheqëse, dhe investimet prej 80 miliardë eurosh që kemi sjellë në Itali në këto tre vjet, falë marrëveshjeve me kombe të tjera, me biznese të mëdha, nënkuptojnë vende pune dhe mundësi për rritje ekonomike. Kjo është një arritje e madhe që do të sjellë edhe përfitime për qytetarët tanë.”









