Burime diplomatike kanë konfirmuar se Komisioni Evropian po përgatit një plan për të hequr rreth 50% të masave të vendosura ndaj Kosovës, duke liruar afërsisht 200 milionë euro nga fondet e suspenduara. Ky hap mund të përfshihet në konkluzionet që ministrat e vendeve anëtare të BE-së pritet të miratojnë të martën në Bruksel, gjatë diskutimeve për procesin e zgjerimit.
Heqja e masave është mundësuar pas transferimit të pushtetit lokal në veri të Kosovës, por disa shtete anëtare preferojnë një qasje graduale, duke kundërshtuar heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave para zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Edhe pse Këshilli i BE-së ka miratuar pëlqimin politik, vendimi final për heqjen e masave mbetet në dorën e Komisionit Evropian.
Përveç kësaj, BE-ja ka shprehur shqetësime për mungesën e përparimit në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut dhe kërkon hapa konkretë nga Kosova dhe Serbia, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës nga Serbia.









