“Dëm i madh iu bë Serbisë”, tha presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, pas lajmit se kompania e Jared Kushnerit – dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump – po terhiqej nga projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.
Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump.
Vuçiq tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.
“E humbëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël, ose më i dobët, që u bë me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë”, tha Vuçiq, duke iu referuar planit të Kushnerit për investime në Ishullin e Sazanit në Shqipëri.
“Duket se disa popuj i kuptojnë më mirë vendimet e udhëheqësve të tyre sesa populli ynë, ose një pjesë e opozitës sonë politike – e gatshme të veprojë kundër interesave të vendit të vet”, shtoi Vuçiq.









