Florjan Binaj, kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, ka mbështetur protestën e aktivistit Adriatik Lapaj dhe ka garantuar pjesëmarrjen e tij në protestat e tjera, përfshirë ato të thirrura nga “Partia Mundësia”, “Shqipëria Bëhet” dhe PD.
Ai theksoi rëndësinë e unitetit në protestat kundër qeverisë, duke shtuar se qytetarët duhet të bashkohen pa dallime partiake për të ndalur abuzimet e qeverisë.
“Protestat kundër qeverisë janë detyra bazë të çdo qytetari që nuk pranon të nëpërkëmbet, nuk pranon të vidhet dhe të nënçmohet. Kur qytetarët heshtin, qeveria trimërohet dhe abuzon e i shkel qytetarët e saj me këmbën e pushtetit. Kur qytetarët ngrenë zërin, çohen në këmbë, protestojnë së bashku, qeverite tërhiqen dhe struken.
Sot është dita që të gjithë ne, të gjithë qytetaret, pa dallime partiake, t’i fusim frikën qeverisë dhe ta ndalim në këtë rrugë të mbrapshtë ku e ka futur Shqipërinë. Ne duhet të ngrëmë zërin, të çohemi në këmbë dhe të bëhemi bashkë. Është shumë mirë që njerëzit po çohen por nuk është gjë e mirë që po çohen të ndarë në grupe të ndryshme. Unë do të bëhem pjesë e të gjitha protestave.
Sot jam këtu tek protesta e Adriatikut dhe e mbështetësve të protestës së tij, nesër do t’i bashkohem protestës së Partise Mundesia. Ditën e shtunë do ti bashkohem protestës sës levizjes Shqipëria Bëhet , dhe ditën e hënë do të marr pjesë në protestën e organizuar nga Partisë Demokratike. Shpresoj që shumë shpejt do bëhemi të gjithë sërisht së bashku, pa dallime politike, të gjithë si qytetarë!” tha Binaj.









