Janë zbardhur argumentet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, në të cilat kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
SPAK thekson se krahas hetimeve për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe, po kryhen hetime për fakte penale të tjera në ngarkim të Ballukut, në lidhje me disa procedura prokurimi, si dhe po hetohen veprimet e saj në një procedurë koncensioni.
“Po kryhen hetime për fakte penale të tjera në ngarkim të kësaj shtetaseje në lidhje me disa procedura prokurimi të tjera, si dhe po hetohen veprimet e saj në një procedurë koncensioni”, thuhet në shkesën e SPAK drejtuar Kuvendit, ku arsyeton kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimit të Ballukut.
Gjendja e lirë e të pandehurës, paraqet rrezik real në mbledhjen e provave, për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron, si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ekziston mundësia që ajo mund të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen ose asgjësimin e provave apo në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave. Eshtë evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek deshmitarët”, argumenton SPAK.









