-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Kalemaj: Nga dhjetori në dhjetor

Kryesoret

Shqipëria ndër shumë karakteristika të tjera të mëvetshme ose tipare dalluese edhe mes vendeve të ish-Lindjes komuniste, ka dhe faktin që i vetmi vend totalitar, që ndoqi besnikërisht shembullin e Bashkimit Sovjetik nën Stalinin. Pra, ndryshe nga sistemi i autoritarizmit polak, post-totalitarizmit çekosllovak apo komunizmit të decentralizuar jugosllav apo qoftë dhe modelit totalitaro-sulltanistik të Çausheskut në Rumani, Shqipëria ka pasur karakteristika të një sistemi totalitar të mirëfilltë.

Kjo si pasojë ka lënë mbrapa një kulturë politike të shkatërruar qysh në gjenezë dhe kjo mangësi thelbësore na ka shoqëruar në tranzicionin e pambarimtë sot e kësaj dite. Modeli i Shqipërisë totalitare, vazhdoi edhe pas ndryshimit të regjimit në BS dhe denoncimeve të Hrushovit për krimet Staliniste. Falë këtij modeli dhe të paktën pjesërisht bazuar në kokëfortësinë ideologjike, ka qenë dhe ecja në shtigje të pashkelura pas prishjes përfundimtare me Kinën si spiranca e fundit që na kishte ngelur. Kjo gjë solli mandej një ekonomi plani të centralizuar plotësisht që kulminoi me tufëzimin famëkeq, një model absolut autarkik të ngjashëm me Korenë e Veriut sot dhe të falimentuar.

Aq i madh qe frymëzimi nga modeli stalinist sa emrat e qyteteve Stalin, e monumenteve, shkollave, rrugëve dhe institucioneve publike apo fabrikave Stalin qëndruan të tilla edhe pas vdekjes së liderit sovjetik. Hoxha mbrojti kultin e Stalinit si një mënyrë për të mbrojtur veten kundër revizionistëve sic i quante, të cilët mund t’i kërcënonin pushtetin. Ka shumë ngjashmëri mes të dyve dhe më tepër nga dëshira e diktatorit shqiptar për t’a imituar Stalinin deri në detaje. Tiparet identifikuese të Stalinizmit apo totalitarizmit shqiptar varionin nga kolektivizimi i dhunshëm i kryer qysh në fundvitet 40-të, deri te tufëzimi i vonë i viteve 80-të. Demagogjia dhe propaganda bajate e regjimit të fortifikuar dhe autarkik arriti të prodhonte deri dhe marrëzira të tipit “do të hamë edhe bar dhe nuk u përkulemi armiqve të brendshëm dhe të jashtëm”. Absurdi mori përmasa irracionale kur shkoi nga “gulagët” e stilit shqiptar me kampe internimi të tmerrshme si Selenicë, Tepelenë deri te burgje famëkeqe si Spaçi dhe Burreli

Ka ende mjaft diskutime mes historianëve, politologëve dhe studjuesve të tjerë, vendas dhe të huaj pse Shqipëria zgjodhi të ecte nëpër “shtigje të pashkelura” dhe pse përqafoi një model ekstrem të totalitarizmit, në vend që të lejonte forma të pluralizmit kulturor të tilla si muzika apo letërsia underground (samizdat) e vendeve të Europës Qëndrore apo forma të lehta të mendimit alternativ ekonomik si Jugosllavia e Titos. Apo qoftë dhe hapje të pjesshme me Perëndimin, të paktën në terma ekonomikë dhe tregtarë si Rumani e Çausheskut. Arsyetimet variojnë nga faktorët e brendshëm si për shembull mbijetesa politike e Hoxhës apo indoktrinimi i ngurtë ideologjik i ofiqarëve të lartë të partisë, deri te faktorët dhe rrethanat gjeopolitike që prodhuan realitete kokëforta si përplasjet Bashkim Sovjetik-Jugosllavi, apo përafrimi i Kinës me SHBA përgjatë qeverisjes së Niksonit. Gjithashtu ndikimi në kohë të caktuara të marrëdhënieve të ngushta fillimisht me Jugosllavinë e Titos, mandej me Bashkimin Sovjetik të Stalinit duke përfunduar me Maoizmin e Kinës, bën që modele të caktuara si stalinizmi apo revolucioni kulturor të replikoheshin pa kurrfarë filtri në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Shoqëria shqiptare, si pasojë e një totalitarizmi të pashembullt që tejkalonte përmasat e një diktature të rëndomtë, ka pasur nevojën imediate për të kryer një katharsis, një lloj pastrimi apo purifikimi që do ta ndihmonte të kalonte traumën kolektive. Hapi i parë, në këtë drejtim, do të ishte dekomunistizimi, të cilin shoqëria shqiptare nuk e ka kryer ende, si dhe zbardhja e krimit totalitar dhe përkujtimi i viktimave dhe të vuajtjeve të tyre. Nëse nuk kryhet katharsisi aq i nevojshëm shoqëror, vençarisht nëpërmjet një procesi lustracioni të vonuar dhe të munguar, Shqipëria do të vazhdojë të mbajë peshën e krimeve të djeshme dhe do të vazhdojmë të jemi një shoqëri neurotike, shoqëri që vazhdon të vuajë pasojat e traumave të djeshme e që nuk gjen dot në vetvete energji për t’ia kushtuar së sotmes.

Nga popujt e Lindjes, shqiptarët kanë vuajtur më shumë se të tjerët prej dhunës komuniste brutale, e cila ka lënë gjurmë të thella dhe të shëmtuara në karakterin e njerëzve dhe në mënyrën si shumë prej nesh perceptojmë politikën, jetën publike dhe marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Brezi i ri, i cili nuk e ka përjetuar drejtpërdrejt dhunën totalitare, ka përjetuar megjithatë dëshpërimin dhe apatinë e prindërve të vet dhe të institucioneve edukative dhe gjithçka tjetër të gjymtë e të trishtuar që shoqëron skamjen ekonomike dhe shpirtërore imponuar politikisht njerëzve të cilëve regjimi ua kishte rrëmbyer, para së gjithash, lirinë.

Statistikat kanë qenë të tmerrshme dhe aspak diskriminuese në vija gjinore kur vinte puna te ata që i vuanin mbi kurriz pasojat barbare. Mjaft të përmendim disa shifra. Të pushkatuar 5548, nga të cilët 91 gra. Të burgosur kanë qenë 14.363 nga të cilët, 445 gra; të vdekur në burg 987 persona, nga të cilët 7 gra. Të futur në psikiatri 308 vetë, nga të cilët 35 gra; të internuar 21401, nga të cilët 332 gra. Deri më sot ende nuk kanë lindur shqiptarë, së paku në Shqipëri, që të thonë e të pretendojnë seriozisht se janë të imunizuar ndaj gjymtimit që ia shkaktoi totalitarizmi shoqërisë shqiptare. Gjithsej kanë qenë jo pak por 34.135 shqiptarë që janë burgosur dhe dënuar për arsye politike, ndërsa rreth 6 mijë janë vrarë, shumë prej tyre të pushkatuar pa vendim formal gjyqi natën, në errësirë të plotë, ndërsa 59 mijë janë internuar fshatrave të thellë dhe të dënuar me punë të detyruar. Këta të fundit kanë qenë shpesh të afërm dhe familjarë të të burgosurve dhe të pushkatuarve. Rreth 20 përqind e popullisë ka qenë e persekutuar në një formë ose tjetër. Mekanizma këto që provuan të ishin mizorisht efektivë në shtypjen e çdo forme të mundshme disidence, qofte kjo e karakterit politik, qoftë e karakterit kulturor. Madje grotesku arriti deri aty sa Shqipëria totalitare të persekutonte dhe humorin që kishte qoftë dhe nënkuptimin më të vogël politik, duke tejkaluar në këtë pikë gjithë vendet e ish-Lindjes komuniste.

Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990-të është i vetmi aksion politik i shqiptarëve në historinë e tyre të njohur, që realizoi ndryshime sistemesh politike (shembjen e regjimit bunker në Europë) në mënyrë paqësore. Ndonje është shprehur se ka qenë aksioni politik më pro – europian, që nga Rilindja Kombëtare. Kjo Lëvizje legjitimoi të drejtën e pluralizmit politik në Shqipëri, ndryshoi rregullat e lojës politike dhe delegjitimoi sistemin komunist. Në të gjitha aspektet saj, Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990-të, ishte një revolucion për shoqërinë; ishte paqësore e liberale në një shtet të dhunës dhe urrejtjes; ishte elitare në një mbretëri të mediokritetit; ishte patriotike e pro – europiane brenda kufijve të një shteti antiperëndimor.

Sot në dhjetorin e 2025-ës shqiptarët ndjehen më të lirë për të lëvizur, por më të paaftë për të reaguar, më të zellshëm për të kritikuar por më të paaftë për t’u organizuar, më afër Bashkimit Evropian por më të varfër krahasuar me ta, më shumë konsum por më të vjedhur nga korrupsioni qeveritar, më të ndjeshëm ndaj padrejtësive por më tepër të ballafaquar me to, me më shumë ligje por pak zbatueshmëri të tyre, me institucione në dukje të pavarura por më të kapura se kurrë më parë, me më pak krim rruge por më tepër krim të organizuar, me më shumë zgjedhje politike por më pak demokraci dhe përfaqësim të drejtë. Koha për këtë dhjetor është padyshim ajo e protestës e cila nëse nuk kulminon me revoltë gjasat janë të pakta që të ndrysojë statu kuo.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit