Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri janë në rënie gjatë vitit 2025, pas katër vitesh radhazi në rritje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e tretë të vitit 2025, të ardhurat e investitorëve të huaj kishin vlerën e 253 milionë eurove, në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shuma e të ardhurave nga investimi përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Për të gjithë 9-mujorin 2025, ato arritën vlerën e 802 milionë eurove, në rënie me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është hera e parë që prej vitit 2020 që fitimet nga investimet e huaja në Shqipëri janë në rënie. Në vitet e fundit, rritja e fitimeve është mbështetur nga rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pas pandemisë dhe nga rritja e vazhdueshme e investimeve të reja.
Megjithatë, pjesërisht ajo është ndikuar edhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron nga ndikuar pozitivisht të ardhurat e investitorëve të huaj, të shprehura në monedhën europiane. Gjatë 2025, ecuria e kursit të këmbimit Euro-Lek është më e stabilizuar, me një ndryshim vjetor pranë nivelit të 2%, gjithmonë në kahun rënës. Stabilizimi i kursit po e redukton efektin e tij statistikor në ecurinë e të ardhurave nga investimet për investitorët e huaj në Shqipëri.
Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për 9-mujorin 2025 ranë në 228 milionë euro, 2.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci neto i të ardhurave nga investimet për ekonominë shqiptare ngelet gjerësisht negativ, në vlerën e 575 milionë eurove. Megjithatë, deficiti në këtë zë u tkurr lehtë me 3.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit dhe për këtë arsye bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.
Të dhënat progresive tregojnë se, edhe për vitin 2025, investimet e huaja direkte vazhdojnë të regjistrojnë nivelet më të larta historike. Për 9-mujorin, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 1.208 miliardë euro, shifër kjo 4.4% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshë gjithnjë e më të rëndësishme në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për 9-mujorin 2025, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 632 milionë euro, 0.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 52% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 9-mujorin 2025./ Monitor









