Kryetari i PD, Sali Berisha, ka zhvilluar një fjalim të fortë gjatë protestës së opozitës, ku ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për shkatërrimin e vendit dhe pasurimin e paligjshëm me pasuritë publike.
Ai theksoi se politika e keqe e qeverisë ka detyruar miliona shqiptarë të ikin nga vendi, duke theksuar se qeveria është përgjegjëse për rënien dramatike të numrit të popullsisë dhe për degradimin e shtetit.
“Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë nga çdo epidemi, apo çdo gjë tjetër. Shqiptarët kanë shkuar prapa 100 vite për lindshmërinë e tyre, sot ata kanë humbur mbi gjysmën e rinisë së vet, kanë humbur të ardhmen dhe çdo vit bëhen gjithnjë e më pak.
Mblidhemi në një moment kritik, ndoshta si kurrë më parë sepse Edi Rama, pasi i shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, ka vendosur me paratë tuaja të bëhet multimiliarder, me pasuritë tuaja publike. Jo vetëm kaq, por ai ka vendosur veten mbi ligjin e Kushtetutën, mbi çdo pushtet dhe na thotë nga Surreli apo kjo ndërtesë e krimit, se unë ju shumëzoj me zero. Se unë jam me ligjin. Edi Rama hidhi sytë nga bulevardi, nga sot ti do të njihesh si kapobandë.”









