Ekziston një probabilitet real që Edi Rama të mos largohet nga politika, por të ripozicionohet. Dorëheqja nga posti i kryeministrit, duke ruajtur drejtimin e Partisë Socialiste, do të ishte një skenar i njohur në praktikat e liderëve që synojnë të shmangin konsumimin institucional, pa humbur kontrollin politik.
Në këtë kontekst, sjellja dhe ekspozimi ndërkombëtar i Elisa Spiropalit nuk janë rastësore. Vizitat e saj në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut nuk kishin protokoll tipik ministror, por trajtim dhe agjendë të nivelit kryeministror.
Takime të rangut të lartë, pritje me nderime të zgjeruara dhe mesazhe politike që shkojnë përtej fushës së diplomacisë parlamentare, krijojnë perceptimin e një figure që po testohet si alternativë ekzekutive.
Në politikë, perceptimi është po aq i rëndësishëm sa realiteti. Dhe këtu perceptimi është i qartë: Spiropali po ekspozohet, po ndërtohet dhe po legjitimohet ndërkombëtarisht.
Nëse Rama arrin të sigurojë një ftesë politike-simbolike në SHBA, konkretisht pjesëmarrjen në National Prayer Breakfast në Uashington në shkurt 2026, ai fiton kohë dhe oksigjen politik.
Një prani e tillë do të shërbente si mesazh se ende është i pranueshëm ndërkombëtarisht, pavarësisht presioneve të brendshme dhe hetimeve që rëndojnë mbi qeverisjen e tij.
Në të kundërtën, nëse kjo derë mbetet e mbyllur, atëherë skenari i tranzicionit të shpejtë bëhet më i besueshëm.
Një kalim i kontrolluar i pushtetit ekzekutiv, brenda 3 muajve të parë të vitit të ardhshëm, do të ishte mënyra më e sigurt për Ramën për të ruajtur partinë, për të shmangur përballje të drejtpërdrejta dhe për të menaxhuar presionet ndërkombëtare.
Ky nuk është parashikim, por lexim i shenjave. Dhe politika, siç dihet, rrallë flet hapur, ajo sinjalizon.









