Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci deklaroi se autoblinda ushtarake “Shota”, e dizajnuar në Shqipëri, do të prodhohet edhe në Kosovë, në kuadër të një bashkëpunimi rajonal që synon përfshirjen edhe të Kroacisë. Sipas tij, kjo do të ishte hera e parë në Ballkan që tri shtete bashkëprodhojnë një autoblindë ushtarake, e cila do të përdoret për nevojat e ushtrive respektive dhe për eksport.
“Do ta jap edhe një ekskluzive këtu. Jemi pajtuar në parim që të bashkëzhvillojmë ‘Shotën’, autoblindën që është dizajnuar në Shqipëri dhe do të prodhohet në Shqipëri e Kosovë. Jemi në fazën e diskutimeve, por do të konkludohet në një marrëveshje dypalëshe. Pse po presim për atë dokument? Pasi synojmë ta përfshijmë edhe Kroacinë dhe për herë të parë në Ballkan tri vende të bashkëprodhojnë automjet të blinduar ushtarak, i cili do të përdoret për nevojat e tri ushtrive dhe për eksport. Në bisedimet fillestare jemi dakorduar që një pjesë të prodhohet në Kosovë, një në Shqipëri e një në Kroaci”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.









