Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pas takimit deklaruan se është shënuar përparim drejt përfundimit të luftës në Ukrainë pas bisedimeve të zhvilluara në Florida, megjithatë pranuan se çështja e territorit mbetet ende e pazgjidhur, raporton BBC.
Të dy liderët i përshkruan takimet si “shumë të mira”, por Trump theksoi se kanë mbetur “një ose dy çështje shumë të ndërlikuara”, me theks të veçantë te kufijtë territorialë.
Duke folur për gazetarët në rezidencën Mar-a-Lago, Zelensky deklaroi se palët kanë rënë dakord për rreth “90%” të një plani paqeje me 20 pika, ndërsa Trump tha se garancitë e sigurisë për Ukrainën janë “gati 95%” të përfunduara.
Zelensky njoftoi më pas se ekipet amerikane dhe ukrainase do të takohen javën e ardhshme për raunde të reja bisedimesh, me synim zgjidhjen e çështjeve të mbetura për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia gati katër vjet më parë.
“Patëm një bisedë thelbësore për të gjitha çështjet dhe vlerësojmë shumë përparimin që ekipet ukrainase dhe amerikane kanë bërë javët e fundit,” tha ai në një deklaratë në Telegram.
Sipas Trump, propozimi për shndërrimin e rajonit të Donbasit në lindje të Ukrainës në një zonë të çmilitarizuar mbetet ende i pazgjidhur.
“Një pjesë e atij territori është marrë tashmë,” tha Trump. “Një pjesë tjetër mund të jetë ende në diskutim, por mund të merret në muajt e ardhshëm”.









