Gjykata e Apelit të Tiranës ka hequr sekuestron mbi pronat e dy biznesmenëve Elman Abule, Kristian Boçi dhe bashkëshortes së këtij të fundit, Drilona Boçi, duke prishur vendimin e marrë nga gjykata e Tiranës më herët.
Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros ndaj Elman Abules, Kristian Boçit dhe bashkëshortes së këtij të fundit, Drilona Boçit.
Pas ankimit të paraqitur nga personat nën hetim, Apeli vendosi prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e çështjes për rigjykim. Ndërkohë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbi bazën e rekursit të paraqitur, vendosi mospranimin e tij.
Pas kthimit për rigjykim, çështja iu caktua me short elektronik gjyqtarit Altin Abdiu, i cili në përfundim të shqyrtimit në dhomë këshillimi vendosi rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për vendosjen e sekuestros.









