“Për paraburgimin njëherë sigurisht që ka nevojë për ndërhyrje”, paralajmëroi kreu i qeverisë, duke ritheksuar se “drejtësia në Shqipëri ka probleme të mëdha”. “Shpresoj që lufta ndaj korrupsionit të sofistikohet, jo prerja e pemëve, duke kap veshin mbrapsht. Duhet balancim”, tha ai.
Kryeministri i vendit Edi Rama, u ndal edhe sot te çështja e paraburgimit në Shqipëri, e cila sipas tij është kthyer në alarm edhe për Këshillin e Europës. Ai theksoi po ashtu se e 1/3-a e të burgosurve janë të pa dënuar.
“Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua nga Këshilli. Kemi 1985 të dënuar dhe 4442 të burgosur. Në Shqipëri falë edhe jush, nuk ka të pafajshëm, por ka të dënuar, qysh në momentin që dyshohen. E ka kaluar njëherë këtë traumë ky vend.
Kjo shifër tregon që në Shqipëri probabiliteti që ti të shkosh në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të jesh fajtor. Ky është fakti më rrëqethës, Këshilli ka bërë një dokument të të tërë për paraburgimin për çdo njeri që beson te dinjiteti i tjetrit, ai dokument është alarm, sepse në fund të ditës sensi i drejtësisë është më mirë “100 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda”.
Nuk është kap e fut njerëz brenda dhe e shohim nesër a jeni a s’jeni fajtorë. Përdorin këto shprehjet, përbën rrezik për prishje provash e për ikje, çdo lloj mase duhet argumentuar, nuk është automatike.
Pastaj vijmë te graviteti i veprës. Dua t’ju jap prapë pak shifra që janë të vërteta, mund të ketë një pasaktësi ë, por janë të vërteta. Jo çdo kush që hetohet dhe akuzohet nga Prokuroria ka bërë korrupsion. Ka edhe vepra të tjera, “shpërdorimi i detyrës” për shembull së cilës iu kthye edhe vetë BE sepse është si një thes i madh ku njerëzit futen kollaj fare. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion.”









