Aksidenti në ujësjellësin e Vlorës tregoi dy pika të dobëta të funksionimit tonë si shtet dhe pushtet.
1-Reagimi përballë ngjarjes
Mbetja e një qyteti pa ujë është akt terrosit, nëse bëhet në mënyrë të qëllimshme. Ndaj, gjëja e parë që bëhet në të tilla raste, është komunikimi.
Banorët duhet të sqarohen, qartësohen, informohen: Çfarë ka ndodhur? Pse ndodhi? Dhe, sa do të zgjasë e si do të ndihmohen ata në tejkalimin e situatës?
Në vend të transparencës, autoritetet lokale zgjodhën mbulimin e ngjarjes, ndikuan që lajmi të mos përhapet, duke e mbështjellë aksidentin edhe me më shumë mister.
Kryetarja e bashkisë e quajti fatkeqësi natyrore(a thua kishte rënë një meteor), kryeministri e quajti magji, apo sy të keq. U deshën 5 ditë, që një politikan, Blendi Çuçi(përgjegjës për Vlorën në PS) t’u kërkonte ndjesë publike banorëve për atë mundim që ata përjetuan.
2-Menaxhimi dhe përballimi i ngjarjes
Një grup punëtorësh, pa asnjë mjet mbrojtës, punonin gati në kushte primitive. Përse ndodhi avaria e rëndë? A ishte faji i tubit të vjetër? Rrjete të tilla, me material plastik, jetojnë për qindra vjet.
Një specialist hidro-teknik shkruante se dëmi mund të vijë për dy arsye: Një faktor i jashtëm(punime të tjera që ndikojnë) ose injektimi i ujit me presion më të madh sesa ai që mban rrjeti, sipas kushteve të projektimit. A ka një konkluzion inxhinierik?
Përse u vuajt kaq shumë për lidhjen e një metri tub, ishte vërtet kaq i rëndë aksidenti, apo kushtet dhe njohuritë tona teknike janë kaq përtokë? Përpjekjet e punëtorëve për të montuar manikotën e ardhur nga Turqia, duke e goditur me varre, na çojnë më shumë tek kjo e dyta. A kanë ndërmarjet tona të ujësjellësave personel inxhinier hidro-teknikë, apo këto procese mbeten në dorë të punëtorëve që ç’bllokojnë edhe lavamanët dhe pusetat?
Qytetet tona rriten në mënyrë kaotike. Gjej vend të lirë e ndërto, pa pyetur për kapacitetin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizmiet e ujërave të zeza apo linjën elektrike. E pastaj ndërhyjmë shto tuba, hap kanale e lidh tela nëpër shtylla.
Mbi të gjitha: A jemi ne të përgatitur për të përballuar aksidente, fatkeqësi natyrore, akte sabotimi, larg qoftë ndonjë agresion ushtarak…?
Po sikur të kishim bërë gazifikimin dhe të përballeshim ne një rrjedhje gazi në vend të ujit, çfarë do të bënim?
Pas përfundimit të shfaqjes së shoqërimit të manikotës me eskortë speciale policie nga aeroporti, rasti duhet ti nënshtrohet një analize serioze, për të kuptuar se sa të aftë jemi t’u përgjigjemi dhe të menaxhojmë raste fatkeqësish apo aksidentesh, edhe kaq të vogla si kjo e ujësjellësit të Vlorës.









