“Rubineti i qytetarit vlen më shumë se çdo premtim elektoral”
E mira publike nënkupton çdo pasuri që i përket të gjithëve (si ajri apo mbrojtja, dija), ku askush nuk mund të përjashtohet dhe përdorimi nga një person nuk duhet të cenojë tjetrin. Çdo qeveri duhet t’i bazojë strategjitë e zhvillimit dhe përdorimin efikas të të ardhurave buxhetore në tabelën e Hierarkisë së Nevojave, të hartuar nga psikologu amerikan Abraham Maslow.
Sipas Masloë-it, individi duhet të plotësojë nevojat e niveleve më të ulëta përpara se të kalojë te nevojat më komplekse. Nevojat fiziologjike janë nevojat bazë për mbijetesë, si ushqimi, uji, gjumi, ajri dhe strehimi. Prandaj, në çdo strategji të plotësimit të nevojave jetike të njeriut, uji renditet i pari. Kjo jo vetëm sepse pa ujë nuk ka jetë, nuk ka shëndet, nuk ka dinjitet, por mbi të gjitha, nuk ka shtet funksional. Nuk është rastësi që historianët e mjedisit thonë se: “qytetërimet lindin, lulëzojnë dhe bien sipas mënyrës se si e menaxhojnë ujin”.
Tek furnizimi, cilësia dhe kostoja e furnizimit me ujë, fillon dhe testohet kontrata sociale. Uji nuk mund të jetë mall i zakonshëm. Ekonomia na mëson se tregu funksionon kur ekzistojnë alternativa. Por për ujin nuk ka alternativë. Ai aktualisht është i pazëvendësueshëm. Ndryshe nga energjia, teknologjia apo shërbimet e tjera, uji është kusht biologjik për mbijetesë. Parimi etik që duhet të kuptojnë dhe zbatojnë strukturat përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore është i thjeshtë: ajo që është jetike nuk mund të trajtohet si luks.
Qasja në ujë të sigurt nuk është privilegj, por e drejtë njerëzore. Kur çmimi i ujit, ose mungesa e tij, i detyron familjet të zgjedhin mes ushqimit dhe hidratimit, problemi nuk është ekonomik; është moral. Kur tregu cenon furnizimin, cilësinë dhe çmimet e papërballueshme për ujin, shteti duhet të ndërhyjë. Uji ka efekte që shkojnë përtej individit. Mungesa e tij në një shtëpi nuk mbetet çështje private; ajo kthehet shpejt në rrezik shëndetësor për të gjithë komunitetin.
Epidemitë, sëmundjet, kostot shëndetësore dhe humbja e produktivitetit janë pasojat e drejtpërdrejta të një sistemi uji të dështuar. Garantimi i aksesit universal në ujë të pijshëm është detyrim etik, social dhe ekonomik. Përfshirja e sektorit privat mund të ndihmojë në efiçencë, por përgjegjësia përfundimtare mbetet publike. Shteti nuk mund “t’i lajë duart” nga mungesa e ujit, nga cilësia e tij dhe nga kostot abuzuese të agjencive dhe ndërmarrjeve përgjegjëse për menaxhimin efektiv të ujit dhe eliminimin e çdo situate kritike në kohën më të shkurtër. Uji është pasuri publike dhe pushtet mbi jetën.
Që nga e Drejta Romake, uji është konsideruar “res communis/pasuri e përbashkët”. Arsyeja është e qartë: kush kontrollon ujin, kontrollon jetën, bujqësinë dhe zhvillimin. Ky pushtet është aq jetik, sa nuk mund t’i lihet interesit privat pa rregulla të forta. Në Shqipëri, ndërtimi i hidrocentraleve – të mëdha dhe të vogla – shpesh ka rënduar furnizimin me ujë të pijshëm, veçanërisht në zonat rurale.
Ndërtimet intensive të resorteve turistike, por edhe rezidencave të vilave, janë rritur ndjeshëm. Çdo ndërtim i ri merr leje nga autoritetet e ujit për garancinë e furnizimit me ujë. Studimet afatgjata duket se mungojnë, si për shtimin e kapaciteteve furnizuese, edhe për parandalimin dhe riparimin në kohën më të shkurtër të situatave të tmerrshme, si mungesa e ujit për pesë ditë në qytetin e Vlorës. Qeverisjet efektive sot bazohen edhe në hartimin dhe implementimin e skemave të risqeve potenciale. Edhe kur sistemi funksionon, rreziqet e abuzimit dhe keqmenaxhimit mbeten të larta.
Çdo leje për përdorimin e burimeve ujore duhet të garantojë qartësisht mbrojtjen e ujit të pijshëm dhe ujit për bujqësi. Uji i pastër është investimi më i lirë në shëndet. Historia na mëson se përmirësimi më i madh i shëndetit publik nuk erdhi nga kirurgjia moderne, por nga uji i pastër dhe kanalizimet. Ekonomiksi i shëndetit studion se si burimet (shpesh të kufizuara) mund të përdoren në mënyrë efikase për të përmirësuar rezultatet shëndetësore. Kur flasim për ujin, kjo disiplinë e sheh atë jo thjesht si burim natyror, por si një investim ekonomik me kthim të lartë.
Kur uji mungon, shpenzimet shëndetësore rriten, sëmundjet përhapen dhe ekonomia humbet produktivitet. Prandaj çdo investim në infrastrukturën e ujit është një investim që kthehet shumëfish. Ai ul kostot e shëndetësisë, rrit jetëgjatësinë dhe përmirëson cilësinë e jetës. Nuk ka investim publik më të drejtë dhe më eficient në të njëjtën kohë sesa furnizimi, cilësia dhe kostot e ujit. Në vitin 2010, OKB-ja e njohu ujin e sigurt si të drejtë themelore të njeriut. Ky standard kërkon akses fizik, përballueshmëri dhe cilësi. Nuk mjafton të kesh ujë; ai duhet të jetë i pastër, i aksesueshëm dhe i përballueshëm në çmimet e tij për të gjithë konsumatorët.
Ky detyrim nuk zhduket kur menaxhimi i delegohet privatit. Përgjegjësia përfundimtare mbetet e shtetit dhe e institucioneve publike. Keqpërdorimi i ujit është një krizë e trashëguar tek brezat e ardhshëm. Uji nuk është pronë e brezit tonë. Ne e kemi marrë ujin me “qira” nga fëmijët tanë. Shfrytëzimi i pakontrolluar sot për përfitime afatshkurtra është një padrejtësi që prek cilësinë e jetesës së brezave të ardhshëm. Politikat e ujit duhet të shohin përtej mandateve katërvjeçare dhe të ndërtohen mbi vizion afatgjatë. Tarifa po, spekulim jo – uji duhet të ketë tarifë për mirëmbajtje dhe kursim. Por kjo tarifë nuk mund të shndërrohet në çmim spekulativ.
Etika publike kërkon tarifa që penalizojnë shpërdorimin për luks dhe mbrojtje për familjet në nevojë. Argumenti i një kolegu nga Vlora se kriza ndodhi sepse ujësjellësi ishte i vjetër (i ndërtuar në vitin 2009), nuk qëndron. Ujësjellësit antikë na janë pjesërisht funksionalë edhe sot. Në Romë, uji i Fontana di Trevi furnizohet ende nga një ujësjellës i ndërtuar në vitin 19 para erës sonë. Ky fakt është një aktakuzë e heshtur ndaj investimeve abuzuese moderne. Si është e mundur që infrastruktura e ndërtuar 2000 vite më parë funksionon ende, ndërsa e jona degradohet para se të mbyllet afati i garancisë së kompanisë zbatuese të investimit?
Ujësjellësit duhet të garantojnë ujë për brezat, jo për inaugurime. Besimi qytetar fillon te rubineti. Cilësia e furnizimit me ujë është një nga treguesit më të ndershëm të qeverisjes. Integriteti i një shteti nuk matet me retorikë, por me sigurinë e ujit që rrjedh në shtëpitë e qytetarëve më të thjeshtë. Siç thoshte Leonardo da Vinci, “Uji është forca që i jep jetë çdo forme jete”. Kjo përkthehet në një të vërtetë të thjeshtë politike: ujësjellësit janë testi më i ndershëm i shtetit.









