-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Albin Kurti: Qeveria e re, Presidenti dhe objektivat e mandatit

Kryesoret

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri.

Tre muaj para se t’i skadojë mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti është më i matur nëse e përkrahin Osmanin edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar.

Sipas tij, një test dhe indikacion se si mund të ecet përpara edhe në çështjen e presidentit është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojitet mbështetje edhe e deputetëve të opozitës.

Kurti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se fillimisht duhet konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë, miratimi i buxhetit dhe pastaj të mendohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja.

Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, thotë ai.

Kurti, i cili është edhe lider i LVV-së, parti e cila sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit.

Sipas tij, sigurimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit është një vështirësi e konsiderueshme.

“Tash, ne e kemi parë deklarimin e presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe qeverinë. Gjithashtu duhet të votojmë buxhetin. Unë besoj që këto janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e presidentes. Dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do t’i shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që po ashtu të ulemi me presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat.

Nevojitet ky takim për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61. 80 është numër shumë më i madh se 61. Dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi, 80 nuk i kemi.

Dhe këto marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Por nuk besoj që është e drejtë, as e dobishme, që të flasim për hapin e katërt pa i parë këta tre të parët”, deklaron ai.

Duke folur për mundësitë që partitë e opozitës, dhe veçanërisht LDK-ja, të qëndrojnë në sallën plenare kur votohet presidenti, Kurti tha se nuk e di se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë e opozitës në javët dhe muajt në vijim.

“Për besë nuk e di. Ky viti 2025, me një qasje bllokuese e barrikaduese të partive opozitare, më ka çuditur edhe mua. Po të më thoshte dikush para një viti që viti 2025 do të ishte ashtu siç u bë, mund të dukej me shumë pak gjasa ose pa asnjë gjasë.

Mirëpo ja që ndodhi. Prandaj unë nuk e di çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në javët dhe muajt në vijim. A është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita. Ndërkohë që bllokadat sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i ka larguar populli me 28 dhjetor”, thekson ai.

Kurti flet për formimin e qeverisë

Kurti tha se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor, raporton “KosovaPress”.

“Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, me kryesinë e kuvendit, dhe të formohet qeveria e Republikës, ku vendimi më i rëndësishëm qysh në fillim është buxheti për vitin 2026. Janë edhe disa vendime të tjera për mbledhjen e parë, por natyrisht më i rëndësishëm është buxheti”, thotë Kurti.

Sa i përket bashkëqeverisjes, Kurti thotë se prioritet do t’u jepet partive politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat ka pasur bashkëpunim edhe në legjislaturat e kaluara, përfshirë edhe subjektin politik të Nenad Rashiq. Thekson se bashkëpunimi me disa subjekte të tjera është bërë më i vështirë gjatë vitit 2025, por nuk e përjashtoi plotësisht.

“Ne se sa mund të kemi komunikim e bashkëpunim me partitë e tjera, duhet ta shohim shumë shpejt, sepse duhet t’i votojmë këto marrëveshje ndërkombëtare. Pra është shumë e rëndësishme që mos të vonohemi më për 880 milionë euro të planit të rritjes së Bashkimit Evropian, ku dy të tretat, përafërsisht, janë kredi, ndërkaq një e treta janë grante. Ndërkaq në anën tjetër, gjithashtu i kemi edhe 90 milionë euro prej Bankës Botërore mbështetje për buxhetin.

I kemi edhe 20 milionë euro të tjera për çerdhet për fëmijë, dhe 20 milionë euro të tjera për sistemin informativ shëndetësor. Pra, shumë shpejt do ta shohim ne se a do të mund të bashkëpunojmë me opozitën sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkaq, sa i përket qeverisë, nuk do të ketë kurrfarë problemi për formimin e shpejtë të qeverisë. Aktualisht vonesat janë derisa të bëhet numërimi i plotë i votave dhe certifikimi i rezultatit”, thekson Kurti.

Duke folur për kabinetin qeveritar, Kurti thotë se nuk priten ndryshime të mëdha, porse nënvizon se do të ketë konsultime të reja brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe me partnerët e koalicionit.

Cili do të jetë kabineti qeverisës, tregon Kurti

“Unë nuk mund të them që do të ketë ndryshime të mëdha, nuk do të ketë ndryshime të mëdha, por nuk mund të them as që do të jetë identike. E para, duhet ta presim rezultatin e zgjedhjeve dhe tash ju e keni parasysh që qytetarët bëjnë dy lloj zgjedhjesh: së pari zgjedhin subjektin politik, më pastaj zgjedhin kandidatët përbrenda subjektit politik, dhe aty ka ndryshime. Kemi deputetë që janë zgjedhur për herë të parë, kemi deputetë që janë konfirmuar edhe më fuqishëm, kemi të tillë që kanë ngecur ca.

Duhet t’i kemi të gjitha në konsideratë para se ta marrim vendimin përfundimtar dhe ne jemi ekip i gjerë. Pra nuk është çështja vetëm renditja në hierarki, qoftë ajo brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo jashtë saj në popull sa vota ka marrë kush, por kush, ku, për çka, kur, janë po ashtu shumë të rëndësishme. Domethënë, ne duhet ta shohim veten tonë individualisht në funksion të ekipit që e ndërtojmë, e që është bashkëdyzim i mazhorancës në Kuvend me kabinetin qeveritar” thotë Kurti.

Situata e sigurisë në Kosovë është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie, falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në intervistën për “KosovaPress”, të parën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti thotë se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka pasur bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë, çka ka rezultuar me arrestime dhe ndjekje penale në raste të dyshuara për spiunazh.

Gjatë vitit 2025, si rrjedhojë e angazhimit të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe institucioneve tjera të sigurisë, janë zbuluar disa raste të dyshuara për spiunazh ku ka pasur edhe të arrestuar, masa paraburgimi dhe ngritje aktakuzash nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Në vitin që lamë pas janë arrestuar: Fatmir Sheholli, më 9 tetor 2025 në Prishtinë nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, Bojan Jevtiq – toger i Policisë së Kosovës i cili shërbente si shef operativ në policinë kufitare në pikën “Dheu i Bardhë”, Hysri Selimi, më 6 maj 2025 nën dyshimet për kryerje të veprës penale të spiunazhit në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë – e cila u arrestua më 28 shkurt 2025 nën dyshimet për spiunazh dhe fillimisht u ndalua për 48 orë nga Prokuroria Speciale pas hetimeve disa mujore.

Në intervistën për KosovaPress, kryeministri në detyrë, Albin Kurti thotë se bashkëpunimi ndërinstitucional, kurorëzuar me rezultate konkrete, kanë ndikuar drejtpërdrejt në parandalimin e përpjekjeve për sabotim, dezinformim dhe destabilizim të vendit, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nënvizon se Kosova është përballur jo vetëm me kërcënime të drejtpërdrejta, por edhe me një luftë hibride, të cilën ai e cilësoi si konkrete dhe të organizuar, duke përmendur Serbinë dhe aleatët e saj, përfshirë Federatën Ruse, si burime të këtyre përpjekjeve destabilizuese.

“Është shumë mirë që në vitet 2024 dhe 2025 ka pasur një koordinim ndërinstitucional midis organeve të sigurisë, të inteligjencës dhe të drejtësisë, në ndjekjen e rasteve të tilla kur kemi pasur të bëjmë me spiunazh, i cili reflektohet shumë në sabotim dhe dezinformim, në përpjekje për destabilizim të vendit, të sistemit tonë politik, të cenimit të sovranitetit e të integritetit territorial. Dhe ne kemi qenë si qeveri gjithmonë në mbështetje të kësaj ndërmarrje, e cila është e re në vendin tonë dhe e cila na gëzon shumë për sigurinë në shtetin tonë.

Veçse në anën tjetër, edhe na vjen një çikë keq që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Pra, Serbia dhe aleatët e saj, në radhë të parë Federata Ruse me presidentin despotik Putinin, nuk kanë zhvilluar vetëm luftë me sulme kinetike, me sulme terroriste, me agresion shtetëror, ku e kanë vënë në shërbim edhe xhandarmërinë, policinë, ushtrinë, e sidomos shërbimin e tyre sekret BIA, por ata njëkohësisht kanë bërë edhe një luftë hibride, që nuk është abstrakte, por është konkrete”, thotë Kurti.

Thotë se falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie.

“Besoj që rreziku është më i vogël se ç’ishte më herët dhe është duke u zvogëluar. Nuk e kemi ditur se sa në rrezik të madh kemi qenë, por tash nga të gjithë ata që u arrestuan për spiunazh, të gjithë janë ose në paraburgim, ose tashmë të dënuar. Dhe ju e dini që ne në Kosovë e kemi edhe EULEX-in që monitoron proceset gjyqësore. Kosova është vendi më demokratik në Evropën Juglindore që ende nuk është i integruar në Bashkimin Evropian, në Ballkanin Perëndimor siç quhet ndryshe, dhe këtu janë duke u zhvilluar procese gjyqësore fer, korrekt, të drejta.

Prandaj qytetarët nuk kanë arsye për brengë, por natyrisht që institucionet e shtetit kanë shumë arsye për të qenë vigjilentë për shkak se lufta hibride e Serbisë shprehet shumë në përpjekjet destabilizuese, dezinformative dhe sabotuese të akterëve të ndryshëm, të cilët nuk janë të lidhur vetëm me Beogradin zyrtar, por edhe me Kremlin-in, i cili po e përdor Serbinë si një mjet për destabilizimin dhe cenimin e paqes dhe të sigurisë në gadishullin ballkanik”, thotë ai./KosovaPress

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit