Policia e Tiranës ka njoftuar se, në përputhje me ligjin “Për tubimet”, do të merren masa të rrepta për garantimin e rendit publik gjatë tubimit që do të zhvillohet sot, në orën 12:00. Disa kufizime të lëvizjes janë parashikuar në zonat përreth tubimit.
Konkretisht, nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura e Dajti deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”. Policia gjithashtu ka paralajmëruar se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të mëtejshme në disa akse të tjera rrugore.
Ajo ka apeluar qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative për të evituar pengesat në qarkullim dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.









