Është zyrtare! Ruben Amorim është shkarkuar nga posti i trajnerit të Manchester United. Koha e trajnerit portugez në Old Trafford mbaroi pas 14 muajsh në krye të ekipit.
Darren Fletcher, ish-lojtar i United dhe deri më tani trajner i ekipit nën-18 të “Djajve të Kuq” merr përkohësisht drejtimin e ekipit të parë dhe do të jetë në stol këtë të mërkurë kundër Burnley.
Amorim u emërua trajner i Manchester United në nëntor 2024 dhe e udhëhoqi ekipin në finalen e Europa League, megjithëse humbën titullin ndaj Tottenham.
Ndeshja e fundit e Amorimit në krye të United ishte barazimi 1-1 kundër Leeds të dielën, pas të cilit trajneri portugez bëri disa vërejtje ogurzeza. “Erdha këtu për të qenë trajner i Manchester United.
E di që emri im nuk është Tuchel, ose Conte, ose Mourinho, por unë jam trajneri i Manchester United. Dhe kështu do të jetë për 18 muaj ose derisa Bordi të vendosë ta ndryshojë atë. Ky ishte mendimi im.
Dua t’i jap fund kësaj. Nuk do të jap dorëheqjen. Do ta bëj punën time derisa dikush tjetër të vijë për të më zëvendësuar” tha ai.









