Në orët e vona të së dielës, policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të cilët kishin zhvilluar një protestë të pandërprerë përpara Kryeministrisë për rreth një muaj.
Gjatë ndërhyrjes, forcat e policisë përdorën mjete speciale për të larguar pajisjet dhe mjetet e përdorura nga protestuesit.
Një incident ndodhi gjatë aksionit, ku drejtuesi i lëvizjes, Adriatik Lapaj, u lëndua. Ai dyshohet të ketë pësuar dëmtime në kokë nga një bombol gazi.
“Edi Rama të bëj përgjegjës ty! Miq, mbrëmë pas mesnate dhjetëra forca të Edi Ramës u sulën të tërbuar mbi ne. I gjendur përballë dhunimit të së drejtës sime Kushtetuese për të shprehur mendimin tim përmes protestës, nuk kam lëvizur. Kam nisur të filmoj. Nga veprimet e tyre një prej ngrohëseve më ka goditur.
Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi.
I bëj thirrje kujtdo të bashkohet kundër hajdutëve!”, shkruan Lapaj në Facebook.









