Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ai qëndron përkrah Danimarkës në mbrojtjen e Groenlandës, duke theksuar se askush tjetër nuk mund të përcaktojë të ardhmen e ishullit, duke iu përgjigjur Donald Trump i cili thotë se i duhet për qëllime mbrojtjeje .
“Groenlanda dhe Mbretëria e Danimarkës duhet të përcaktojnë të ardhmen e Groenlandës dhe askush tjetër”, u tha kryeministri britanik gazetarëve.
I pyetur në një intervistë të veçantë për të komentuar deklaratën e kryeministres daneze Mette Frederiksen, e cila i thoshte Trump të ndalonte kërcënimet ndaj Groenlandës, Starmer tha: “Unë mbështes atë dhe ajo ka të drejtë për të ardhmen e Groenlandës.”
Keir Starmer, i cili është përpjekur të mbajë një marrëdhënie të mirë me Trump dhe ka mbajtur një qëndrim më pak kritik sesa udhëheqësit e tjerë evropianë, u pyet gjithashtu për Venezuelën dhe tha se tani i takon SHBA-së të justifikojë veprimet e saj dhe që Britania t’i gjykojë shtetet e tjera bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
Duke deklaruar se situata nuk ishte e thjeshtë, ai tha: “Ajo që na duhet në Venezuelë është një tranzicion paqësor demokratik. Ky ishte qëndrimi ynë para fundjavës, ky mbetet qëndrimi ynë”, tha ai.
“E drejta ndërkombëtare është korniza, është spiranca ose masa me të cilën ne gjykojmë veprimet e të gjitha qeverive të tjera. Dhe sigurisht që i takon SHBA-së të justifikojë veprimin që ndërmori. Nuk është e thjeshtë. Është e ndërlikuar dhe, edhe sot, ka zhvillime të mëtejshme.”
Kryeministri britanik kishte deklaruar pardje të shtunën se nuk pendohej që Maduro nuk ishte më president i Venezuelës, por se donte që kjo të çonte në një qeveri më demokratike./ Protothema









