Në një konferencë për media pas takimeve të zhvilluara në Paris, Steve Whitkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, ka shpallur përparim të rëndësishëm në negociatat për sigurimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.
Whitkoff theksoi se marrëveshja për sigurinë e Ukrainës është në një fazë të avancuar dhe do të ofrojë mbrojtje të qëndrueshme për Kievin përballë kërcënimeve nga Rusia.
“Ne besojmë se kemi përfunduar në një masë të madhe protokollet e sigurisë për Ukrainën,” deklaroi Steve Whitkoff, duke theksuar se çështja kryesore për arritjen e një marrëveshjeje paqësore ka të bëjë me kufijtë dhe territoret. “Ne po ndihmojmë në ndërmjetësimin dhe procesin e paqes,” shtoi ai.
Whitkoff theksoi gjithashtu se presidenti Trump mbështet fuqishëm këto protokolle sigurie, të cilat janë krijuar për të parandaluar çdo sulm të mundshëm ndaj Ukrainës dhe për t’i siguruar mbrojtjen në rast se sulmi ndodh. “Ato do të bëjnë të dyja,” theksoi ai, duke shtuar se protokollet janë “po aq të forta sa çdo gjë që është parë ndonjëherë – dhe të gjithë e kanë njohur këtë.”
Në përfundim të fjalës së tij, Whitkoff siguroi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për arritjen e paqes dhe të sigurojë një stabilitet afatgjatë për vendin. “Takimet në Paris kanë arritur progres të rëndësishëm, dhe do të vazhdojmë të punojmë për një dinamikë pozitive për të ardhmen,” tha ai.









