Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në rrugën nacionale Burrel–Skuraj.
Si pasojë e motit të keq, gurë dhe inerte kanë përfunduar në asfalt, duke krijuar rrezik për qarkullimin e mjeteve.
Ky segment rrugor mbetet problematik sa herë ka reshje shiu, për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme të gurëve nga shpati i malit. Mungesa e sinjalistikës, e mbrojtëseve anësore dhe gjendja e amortizuar e rrugës me gropa të shumta e rrit edhe më shumë rrezikun për drejtuesit e automjeteve. Një devijim i vogël nga rruga mund të ketë pasoja të rënda, pasi ekziston rreziku i përfundimit të mjetit në Liqenin e Shkopetit.
Aktualisht, firma e mirëmbajtjes rrugore ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e gurëve dhe inerteve nga rruga, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks.









