Fermerë francezë bllokuan sot rrugë kryesore në Paris dhe pika simbolike si Harku i Triumfit, duke dalë në protesta me traktorë kundër një marrëveshjeje të gjerë tregtare që Bashkimi Evropian pritet të nënshkruajë me vendet e Amerikës së Jugut.
Protestat u thirrën nga organizata sindikale e djathtë Coordination Rurale, mes frikës se marrëveshja e planifikuar e tregtisë së lirë me bllokun Mercosur (Argjentinë, Brazil, Paraguaj dhe Uruguaj) do të përmbytë tregun evropian me importe ushqimore të lira, duke goditur rëndë fermerët vendas. Ata kundërshtojnë gjithashtu kostot e larta të prodhimit dhe, sipas tyre, rregullat e tepruara, si dhe kërkojnë ndalimin e politikës qeveritare për asgjësimin e tufave të lopëve si masë ndaj një sëmundjeje shumë ngjitëse të gjedhit, të cilën e konsiderojnë disproporcionale.
“Jemi mes hidhërimit dhe dëshpërimit. Ndjejmë se jemi braktisur – Mercosur është një shembull i qartë,” deklaroi për Reuters nën Kullën Eiffel Stéphane Pelletier, përfaqësues i Coordination Rurale.
Fermerët kaluan pikat e kontrollit policor për të hyrë në Paris, duke drejtuar traktorët në Champs-Élysées dhe duke bllokuar zonën rreth Harkut të Triumfit para agimit. Më pas u mblodhën përpara godinës së Asamblesë Kombëtare. Presidentja e Asamblesë, Yaël Braun-Pivet, u prit me fishkëllima kur doli për të folur me protestuesit.
Dhjetëra traktorë bllokuan gjithashtu autostrada që të çojnë drejt kryeqytetit para orës së pikut të mëngjesit, përfshirë A13 nga periferitë perëndimore dhe Normandia, duke shkaktuar kolona deri në 150 kilometra, sipas Ministrisë së Transporteve. Më vonë, fermerë nga FNSEA dhe fermerë të rinj iu bashkuan protestës pranë Kullës Eiffel në një tubim paqësor.
“Do të importojmë produkte nga pjesë të tjera të botës që nuk përmbushin standardet tona – kjo është e papranueshme. Prandaj vazhdojmë mobilizimin,” u shpreh kreu i FNSEA-së, Arnaud Rousseau, duke iu referuar marrëveshjes Mercosur.
Protestat rrisin presionin mbi presidentin Emmanuel Macron dhe qeverinë e tij, një ditë përpara votimit të shteteve anëtare të BE-së për marrëveshjen. Pa shumicë parlamentare, çdo gabim politik nga Macron mund të çojë në një mocion mosbesimi.
Franca ka qenë prej kohësh një kundërshtare e fortë e kësaj marrëveshjeje. Edhe pse Parisi ka siguruar disa lëshime të minutës së fundit, çështja mbetet shumë e ndjeshme politikisht, sidomos përpara zgjedhjeve komunale në mars dhe me rritjen e së djathtës ekstreme në sondazhe për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, ku Macron nuk do të kandidojë.
“Kjo marrëveshje ende nuk është e pranueshme,” deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, për France Info.
Ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard, tha se edhe nëse vendet e BE-së e mbështesin marrëveshjen, Franca do të vazhdojë ta kundërshtojë atë në Parlamentin Evropian, miratimi i të cilit është gjithashtu i nevojshëm. Ndërkohë, Komisioni Evropian ka propozuar 45 miliardë euro për mbështetjen e fermerëve në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar dhe ka rënë dakord të ulë tarifat e importit për disa plehra, në përpjekje për të fituar mbështetje nga vendet hezituese.
Marrëveshja mbështetet nga vende si Gjermania dhe Spanja, ndërsa Komisioni duket pranë sigurimit të mbështetjes së Italisë. Nëse Roma voton pro, BE-ja do të ketë votat e nevojshme për miratimin e marrëveshjes edhe pa Francën.
Votimi pritet të zhvillohet nesër. Ndërkohë, zëvendëskryeministri irlandez Simon Harris deklaroi se Irlanda do të votojë kundër marrëveshjes.
“Edhe pse BE-ja ka pranuar disa masa shtesë, ato nuk mjaftojnë për të kënaqur qytetarët tanë. Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar – do të votojmë kundër,” tha Harris në një deklaratë.









