Gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, situata në territorin e Bashkisë Memaliaj paraqitet problematike, me evidentim të disa vatrave emergjente në njësi të ndryshme administrative.
Situata më emergjente paraqitet në njësinë administrative Memaliaj Fshat, ku janë shënuar rrëshqitje masive dherash, konkretisht në fshatin Memaliaj. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera, kalueshmëria në rrugët e brendshme të fshatit vijon të jetë e vështirë.
Gjatë natës dhe aktualisht po punohet edhe në fshatin Kallëmb, ku si pasojë e bllokimit të rrugës paraqiten vështirësi në lëvizje. E njëjta situatë konstatohet edhe në fshatrat Çerrilë dhe Vasjar, ku në këtë të fundit, për shkak të rrëshqitjeve të dherave, janë regjistruar edhe dëmtime në banesa.
Në njësinë administrative Krahës, problematika janë evidentuar në disa zona, konkretisht në lagjet “Buckaj” dhe “Llakaj” të fshatit Krahës 2, si dhe në fshatrat Allkomemaj dhe Levan, ku rrëshqitjet masive të dherave kanë penguar lëvizshmërinë. Punonjësit e strukturave përkatëse ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për zhbllokimin e rrugëve.
Në njësinë administrative Buz, aktualisht ka prani dëbore, çka e bën të pamundur qarkullimin e mjeteve.
Niveli i lumit Vjosë gjatë orëve të natës shënoi kuotën 7.5 metra, ndërsa aktualisht ka një rënie të lehtë në nivelin 7 metra.
Në njësinë administrative Luftinjë ka pasur rrëzim pemësh në aksin kryesor, duke bllokuar qarkullimin, ndërsa po punohet nga ekipi i kësaj njësie për heqjen e tyre.









