Kosova hyn në vitin 2026 me pritshmëri të larta për funksionimin e institucioneve të reja dhe stabilitet politik.
Analisti i politikave, Agron Demi, vlerëson se formimi i shpejtë i Kuvendit dhe Qeverisë është i domosdoshëm për të garantuar vijimësinë e buxhetit dhe për të shmangur pengesa financiare.
Sipas Demit, sfida kryesore për vitin e ri mbetet zhvillimi ekonomik, i cili ka qenë i vonuar për shkak të vendimeve të përkohshme dhe mungesës së investimeve kapitale në vitet e fundit.
Ai thekson se rritja e shpenzimeve për paga dhe skema sociale nuk mjafton, ndërsa buxheti i 2026 duhet të ketë fokus në projekte infrastrukturore dhe investime kapitale që nxisin rritje të qëndrueshme.
Demi gjithashtu nënvizon rëndësinë e shfrytëzimit të fondeve ndërkombëtare dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar se mungesa e veprimeve institucionale mund të bëjë që disa fonde të humbasin. Ai vlerëson se sfidat sociale, përfshirë inflacionin, rritjen e çmimeve dhe varësinë nga importet, duhet të trajtohen me masa konkrete.









