Instituti i Gjeoshkencave ka ndarë një parashikim lidhur me kushtet e motit, teksa theksohet se sot pasdite dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë.
Në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve hidrologjike, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë dhe nesër pritet një rritje e prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Seman.
Rrezik të shtuar për përmbytje, në vazhdim të ditës së sotme dhe nesër, do të kenë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.









