-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Kalemaj: Çfarë lloj kapitalizmi po ndërtojmë

Kryesoret

Kohët e fundit duket që kemi përherë e më tepër një lloj apologjie dhe mbrojtje publike të marksizmit kulturor, që synon njëherazi zhvendosjen e debatit nga çështjet e mprehta socio-ekonomike në atë të kulturës, ideologjisë dhe medias. Kjo ndodhi për vite me radhë në Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore por gjurrmë të asaj që vijnë si gjithnjë pas pilafit i gjejmë përherë dhe më shumë në vende si ky i yni. Themi si kofini pas të vjelave, se ndërkohë të udhëhequr nga presidenti Tramp në SHBA, liderë të fortë në BE si Meloni apo Orban, rritja në popullaritet dhe sondazhe e partisë së Reformave në Mbretërinë e Bashkuar apo AFD në Gjermani, më tepër se tregon sukses të teknikave elektorale të këtyre partive apo liderëve në fjalë, tregon për një lodhje dhe reagim të fuqishëm (backlash) të popullatës në masë ndaj imponimeve të “normave” të reja si të drejtat e pakufizuara të transgjinorëve, revizionizmi kulturor, parja e familjes tradicionale si një pengesë e kapërcyeshme, ridefinimi i roleve gjinorë, mbrojtja e pakufizuar e emigrimit të paligjshëm etj.

Natyrisht, humbja e kontaktit me bazën tradicionale të së majtës amerikane dhe evropiane që përfshinte punëtorët e fabrikave, njerëz me të ardhura të mesme dhe të ulëta, sipërmarrës të vegjël etj., dhe theksi mbi debate të cilat çojnë pak në kandarin elektoral se nuk përfaqësojnë interesat reale të votuesve por agjenda të sponsorizuara ideologjike, ka çuar në një realitet elektoral që po favorizon përherë e më tepër politika konservatore apo të djathta në rrafsh evropian por edhe global si disa shembuj të fundit nga Amerika e Jugut.

Në fakt pavarësisht kritikave sistematike ndaj modelit kapitalist, vençarisht hipokrite nga të ashtuquajturit “të majtët e kaviarit” që theksojnë kredencialet socialiste por jetojnë si sheikë dhe përfitojnë nga pozicionet publike apo financimet private për të bërë një jetë luksoze, kapitalizmi është model i pakonkurrueshëm si sistem ekonomik dhe shoqëror që bazohet në disa vlera universale si e drejta e pronës private, e gjenerimit të ligjshëm të fitimit përmes saj, ku tregu i lirë udhëheq transaksionet me bazë interesin reciprok, ku individët dhe sipërmarrjet janë të lirë të prodhojnë, të blejnë dhe shesin në kushtet e konkurrencës së lirë.

Natyrisht nuk ka një lloj të vetëm të implementimit të kapitalizmit që varion nga vendi në vend duke marrë parasysh diferencat kulturore dhe mentalitetin, pozicionimin gjeografik, historinë dhe traditën, ku përgjithësisht vende në një rajon të caktuar bashkëndajnë forma të ngjashme të zhvillimit kapitalist. Dekada më parë, një libër i David Soskice dhe David A. Hall mbi Llojet e Kapitalizmit tërhoqi jo pak vëmendje ku i referohej variacioneve të ndryshme të kapitalizmit. Ky libër dhe të tjerë të ngjashëm i’u referoheshin modeleve të ndryshëm të sistemeve politiko-ekonomike kapitaliste të tilla si ekonomive të tregut të lirë si SHBA, Britani e Madhe apo Australi atyre skandinave me modelet welfare, atyre korporatiste (si Gjermania apo Japonia) ku ndërmarrjet,industrialistët dhe sindikatat janë në ndërveprim të vazhdueshëm apo kapitalizmi burokratik francez. Pavarësisht formës së zbatimit, kapitalizmi ka qenë dhe mbetet e vetmja formë e akumulimit të kapitalit, maksimizimit të fitimit, alokimit efiçient të burimeve dhe në përputhje me vetë natyrën njerëzore që ndonëse nuk tingëllon ideale është në thelb egoiste dhe jo altruiste. Pavarësisht se priremi të imagjinojmë të kundërtën.

Por krahas modeleve të mësipërme, ku në varësi të specifikave të vendeve të veçanta kapitalizmi ka provuar të jetë i suksesshëm edhe aty ku ndërton konsensuse të gjera shoqërore, edhe aty ku mbizotëron logjika e fortë e tregut, sot kemi të bëjmë gjithnjë e më tepër me njëfarë kapitalizmi të keqzbatuar ku përherë e më tepër kemi bashkë-ekzistencë të autokratëve me oligarkët ku shoqëritë po bëhen gjithnjë e më tepër të pabarabarta, burimet po shpërndahen në mënyrë klienteliste, korrupsioni dhe favoritizmi shkojnë përkundër konceptit të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, ku shteti shërben për të garantuar rregullat e barabarta të lojës apo si arbitër i paanshëm. Pra një deformim të vetë kapitalizmit në favor të korruptimit të tij. Në Shqipëri fjala bie gjithnjë e më tepër shohim një formë kapitalizmi të asistuar me oligarkë që kanë përfituar llokmat më të mëdha të ekonomisë, të ngritur nga hiçi jo falë talentit, inovacionit apo aftësive të tyre, por pazareve nën tavolinë, korruptimit të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, monopolizimit të sektorëve kyç të ekonomisë e me radhë.

Zbulimi i skandaleve të fundit ku shqiptarët patën mundësi të njihen edhe më në detaje me rrugët e florinjta për të cilat paguajnë jo vetëm përmes taksave por edhe për t’i mirëmbajtur ndërkohë që kjo e fundit mungon krejtësisht në praktikë, ku pseudo-kapitalistë të mbështetur me para shtetërore zbrazin xhepat e tyre me shpejtësi vrastare, ku oligarkë të tjerë ua kanë bërë koston e jetesës dy apo trefish më të shtrenjtë krahasuar me vendet e rajonit, ndërkohë që jemi vend me dalje në det, porte dhe burime natyrore jo të vogla, një vend që sot diskuton ujin e (pa)pijshëm, një vend që përmbytet nga një pikë ujë se mungojnë apo janë nxjerrë jashtë loje kanalizimet, një vend ku jashtëqitjet derdhën lirshëm në lumenj, liqene dhe det, një vend që nuk arrin dot sigurinë juridike qëështëconditio sine qua non për investitorët e huaj dhe ata vendas të ndershëm që nuk kanë lidhje qeveritare dhe duan të bëjnë biznes në kushte normale.

Në përgjithësi, në kushtet ku demokracitë lokale ballafaqohen përherë e më tepër me risqet që vijnë nga korporatat globale të cilat kanë fuqinë të vendosin rregullat e tyre (të njëanshme) të lojës edhe për vende shumëfish të vendit tonë në terma të fuqisë relative, ruajtja dhe forcimi i sektorëve jetikë të ekonomisë nga shtetet për të mbrojtur njëkohësisht dhe grupet më vulnerabël kthehet në imperative sic ka paralajmëruar kohë më parë ekonomisti i Harvardit Dani Rodrik. Vende të vogla si Shqipëria janë në çdo rast më vulnerabël si ndaj presioneve globale ashtu dhe nga akumulimi i pabarabartë i pasurive nga një grusht oligarkësh që kanë përqëndruar pasurinë shpejt dhe bllokuar ekonominë përmes investimeve kryesisht në shërbime dhe retail që garantojnë një kthim fitimi të shpejtë, pa risk por edhe pa vlerë të shtuar për ekonominë në përgjithësi.

Po të shihet sot, të vetmit sektorë me rritje të qëndrueshme janë ndërtimi, imobiliaret, retail-i (ku shqiptarët e privuar arbitrarisht nga blerjet përtej një pragu minimal online)nuk kanë zgjedhje tjetër vetëm të dynden qendrave tregtare dhe të blejnë mall skarco të mbivlerësuar, apo sektorë kyç të industrisë së rëndë që gjithsesi janë dhënë si plaçkë pazari në afera korruptive që shkojnë në kufijtë e kriminales. Përmes dhënies së portave hyrëse detare, rrugore dhe aeroportuale përmes pazaresh okultë që bllokojnë sipërmarrjen e lirë në përgjithësi, kemi përqëndruar paranë në pak duar, krijuar pabarazi të mëdha në shoqëri dhe si rezultat, pra si pasojë kemi prodhuar dhe emigracion në masë ku po ikin të rinjtë, të shkolluarit dhe profesionistët.

Pa u adresuar shkaqet sistemike dhe strukturore të krizës së thellë ekonomike, financiare dhe sociale që po përjeton vendi dhe të adresuarit e tyre përmes mekanizmash politikë dhe hartimit të politikave publike adekuate, pak shpresë mund të ketë që do të mund të dalim në të ardhmen e afërt nga bataku i retorikës kallp, nga llokoçitja në vetkënaqjen e borgjezëve të rilindur brenda natës dhe situata përgjithësisht e pashpresë për ata që duan të punojnë, të jetojnë dhe të bëjnë hajër në këtë vend.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit