Për shkak të reshjeve të shiut të vazhdueshme, qarku i Korçës ka përjetuar disa probleme të infrastrukturës dhe furnizimit me energji elektrike.
Disa zona janë prekur nga ndërprerje të energjisë, duke lënë pa shërbim rreth 1,800 abonentë në bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec dhe Kolonjë.
Ekipet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve.
Situata aktuale në Qarkun e Korçës
Furnizimi me energji elektrike (OSHEE):
Fideri 9, NST Lozhan – pjesërisht pa energji; preken rreth 400 abonentë ruralë. Jashtë funksionit janë 5 kabina në zonat Leshec dhe Maliq–Opar, si dhe 3 abonentë ruralë.
Fideri 14, NST Petrushë – pa energji zonat Dardhas, Prenisht dhe Grunjaz; rreth 400 abonentë ruralë.
Fideri 20 “Ushtria”, NST Pogradec – pa energji rreth 700 abonentë urbanë në zonat Garnizon, Goricë dhe Gurore.
Fideri Potgozhan, NST Gur i Kuq – pa energji zonat Bishnicë, Jollë, Tallë dhe Lëngë; rreth 100 abonentë ruralë.
Fideri JO6, NST Leskovik – i stakuar për shkak të defektit; preken 257 abonentë ruralë në zonat Podë, Postenan, Peshtan, Gjirakarë, Radovë, Lashovë, Vrespkë, Radanj, Shalës dhe Germenjë.
Ekipet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve. Të gjithë fiderat që furnizojnë konsumatorë me rëndësi të veçantë janë funksionalë. Hidrovori Pogradec funksionon normalisht.
Bashkia Kolonjë:
Janë pastruar rrugët rurale në Sokorovot, Kreshovë, Lavdar, Lahollarë, Strajë dhe Psar.
Në qytetin e Ersekës është pastruar sheshi “Rilindja” dhe janë kriposur akset rrugore për parandalimin e ngricave.
Po vlerësohet ndërhyrja në segmentin rrugor drejt fshatit Shemetirë dhe rruga rurale e fshatit Gjonç.
Bashkia Maliq:
Vijon problematika e çarjes së argjinaturës së Lumit Devoll; ndërhyrje e pamundur për momentin.
Rrëshqitje dhe problematika në zonën e Kakaçit dhe ura e fshatit Osojë kërkojnë investim dhe ndërhyrje të mëtejshme.
Po vazhdojnë pastrimet e rrugëve rurale; situata monitorohet nga Emergjencat Civile dhe Bashkia.
Bashkia Devoll:
Janë hapur dhe kriposur rrugët në Njësinë Administrative Miras.
Qarkullimi normalizohet në rrugën Vidohovë–Miras.
Janë kryer riparime në argjinaturën e lumit Oshticë dhe sistemimi i lumit në fshatin Përparimaj për parandalimin e përmbytjeve.
Rruga Grapsh–Përparimaj është kthyer në funksion normal.
Bashkia Pustec:
Po punohet për pastrimin e përroit të Gorricës dhe riparimin e segmentit Lajthizë–Liqenas.
Bashkia Korçë:
Nuk raportohen problematika nga reshjet e shiut.
Për rrugën e fshatit Denas janë marrë masat dhe ndërhyrja do të bëhet pas uljes së nivelit të ujit.
Bashkia Pogradec:
Problem kryesor mbetet Lumi i Verdovës; pjesë e karrexhatës është shembur, qarkullimi bëhet vetëm në një korsi.
Lumi Remenjit është stabilizuar; po vlerësohet zgjidhje përfundimtare.
Lumi i qytetit ka shkaktuar dëme dhe kërkon ndërhyrje.
ARRSH Drejtoria Qendër-Lindje
Rruga e Dardhasit është kalueshme provizorisht; po prisnin konkluzionet e specialistëve gjeologjikë.
Në fund të fshatit Çërravë ka rrëshqitje dherash që rrezikojnë një banesë të banuar.









