Ish-presidenti Ilir Meta ka sulmuar qeverinë dhe administratat lokale për mënyrën si është trajtuar situata e përmbytjeve në vend, duke përfshirë rastin e Gjirokastrës.
Ai akuzon mosveprimin dhe vendimet e gabuara të autoriteteve, duke theksuar se infrastruktura hidrike, si hidrovorët, nuk ka funksionuar sipas qëllimit dhe se fondet publike janë përdorur në mënyrë joefektive.
Meta shton se pastrimi i kanaleve dhe menaxhimi i ujërave nuk është kryer si duhet, duke rritur rrezikun për banorët.
REAGIMI
Kreu i Organizatës Kriminale, i cili u kujtua të mblidhte Komitetin e Emergjencës Civile vetëm 4 ditë pas përmbytjeve që shkaktoi korrupsioni skizofrenik i Qeverisë dhe bashkive të tij, mori në mbrojtje korrupsionin (hidrovorët) e tij.
Në kundërshtim me banorët e përmbytur dhe specialistët e hidrologjisë, ai me pacipësinë që e dallon, ia vuri fajin “qametit” por edhe popullit që flak qese plastike.
Ndërsa administrata e tij e dyfishuar nuk ka asnjë faj pse nuk pastron kanalet në verë apo jep leje ndërtimi mbi kolektorë.
Veçanërisht përmbytja e Gjirokastrës është një “arritje” historike që vetëm Edi Rama mund ta realizonte, ndërkohë që sasia e reshjeve ishte nën mesataren mujore.
Sepse Edi Rama, në vend që të marrë masa në verë për të parandaluar përmbytjet në dimër, apo të përgatitet në dimër për të parandaluar zjarret në verë, ka vendosur të mbrojë pa i’u dridhur qerpiku korrupsionin e tij edhe me hidrovorët.
Sepse për të, hidrovorët punojnë po aq mirë sa inceneratorët që nuk ekzistojnë, me të vetmin ndryshim që hidrovorët ekzistojnë për të na treguar që Edi Rama nuk bën vepra publike në shërbim të qytetarëve, por vetëm për të justifikuar grabitjen e fondeve publike.
Me 19 milionë euro mund të ishin bërë 5 hidrovorë efektive dhe funksionalë.
Megjithatë, rëndësi ka që hidrovorët “punojnë” si inceneratorët që nuk ekzistojnë.
Këtu turpi nuk ka më turp nga turpi.









