Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi se shqetësimet për sigurinë në Atlantikun e Veriut duhet të adresohen brenda kuadrit të NATO-s.
“Nëse presidenti amerikan po shqyrton kërcënime nga anije apo nëndetëse ruse ose kineze në këtë rajon, ne sigurisht që mund të gjejmë përgjigje të përbashkëta”, deklaroi Wadephul gjatë një ndalese në Islandë, në rrugën drejt Uashingtonit.
Ai pritet të takohet nesër me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Sipas raporteve, disa vende europiane, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, po shqyrtojnë mënyra për të forcuar praninë e tyre ushtarake në Grenlandë dhe për të propozuar një mision të përbashkët të NATO-s në Arktik.
Deklaratat e Wadephul vijnë pas komenteve të presidentit Trump, i cili ka theksuar nevojën që SHBA-të të rrisin praninë e tyre në Grenlandë për të parandaluar ndikimin e Rusisë dhe Kinës, edhe pse vendet skandinave e kanë mohuar prezencën e anijeve të tyre pranë rajonit.









